Osmani kërkon unitet politik: Ruajtja e aleancës me SHBA është përgjegjësi kombëtare

Osmani kërkon unitet politik: Ruajtja e aleancës me SHBA është përgjegjësi kombëtare

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën, duke e cilësuar këtë proces si një mekanizëm të çmuar të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Në deklaratën e saj, Osmani theksoi se raporti mes Kosovës dhe SHBA-ve nuk është vetëm diplomatik, por “pjesë ekzistenciale e identitetit tonë shtetëror dhe kombëtar”.

Ajo rikujtoi se Dialogu Strategjik ishte një nismë e saj e vitit 2021, e cila pas një procesi të gjatë bashkëpunimi me Departamentin e Shtetit u finalizua në janar 2025.

“Presidentja shpreh keqardhje dhe shqetësim të thellë për vendimin e pezullimit të këtij dialogu, i cili është një mekanizëm i rëndësishëm i bashkëpunimit mes Kosovës dhe ShBA-ve. Siguria e Republikës së Kosovës është fuqishëm e lidhur me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prandaj secili duhet ta marrë me seriozitet ruajtjen e kësaj aleance të shenjtë,” thuhet në deklaratë.

Osmani nënvizoi se aleanca me SHBA-të është një çështje strategjike që kërkon unitet politik dhe angazhim të përbashkët, duke kujtuar se liria e Kosovës u bë realitet me ndihmën vendimtare të SHBA-ve.

Ajo shtoi se Presidenca do të angazhohet maksimalisht që Dialogu Strategjik të rifillojë sa më shpejt, sepse partneriteti me SHBA-në është “jo vetëm garanci për të tashmen, por edhe busulla më e sigurt drejt së ardhmes”.

MARKETING