Osmani: Duhet të ndalet vuajtja e fëmijëve dhe civilëve të pafajshëm në Gaza

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur shqetësimin e saj për katastrofën humanitare në Gaza dhe ndikimin shkatërrues që po ka konflikti mbi civilët, veçanërisht fëmijët.
Osmani përmes një postimi në platformën “X” (ish-Twitter) se fëmijët nuk fillojnë kurrë luftëra, por ata janë ata që vuajnë më shumë dhe mbajnë pasojat më të mëdha të çdo konflikti.
“Katastrofa humanitare në Gaza dhe vuajtjet e civilëve të pafajshëm, veçanërisht fëmijëve, është zemërthyes dhe duhet të marrë fund. Çdo fëmijë, çdo familje, pavarësisht kombësisë apo fesë, është e çmuar dhe duhet të mbrohet.”, ka shkruar Osmani.
Presidentja vuri në dukje se çdo jetë njerëzore është e çmuar, pavarësisht kombësisë apo fesë, dhe se mbrojtja e fëmijëve dhe familjeve duhet të jetë prioritet për të gjithë aktorët ndërkombëtarë.
Ajo shprehu mbështetjen e plotë të Kosovës për përpjekjet për armëpushim, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti, si dhe për lirimin e menjëhershëm të të gjitha pengjeve.
“Ndërkohë, sigurimi i aksesit në ushqim, ujë dhe ilaçe për më të prekshmit duhet të mbetet një përparësi kryesore për të lehtësuar vuajtjet e shkaktuara nga lufta midis të pafajshmëve”, theksoi Osmani.
Tutje ajo ka shkruar: “Kosova vazhdon të mbështesë përpjekjet ndërkombëtare që synojnë arritjen e një të ardhmeje të drejtë, të qëndrueshme dhe paqësore, ku si izraelitët ashtu edhe palestinezët mund të jetojnë me dinjitet, siguri dhe respekt të ndërsjellë, me një angazhim të përbashkët për mbrojtjen e jetës njerëzore. Derisa të realizohet kjo e ardhme, duhet të bëhet çdo përpjekje për të parandaluar humbjen e mëtejshme të jetëve të pafajshme dhe për të lehtësuar vuajtjet e të gjithë njerëzve”.