Ortekët e fundjavës lënë të vdekur 10 persona në Austri dhe Zvicër
Dhjetë persona kanë humbur jetën gjatë fundjavës në disa ortekë nëpër Alpet austriake dhe zvicerane.Turistët nga Zelanda e Re, Kina dhe Gjermania ishin në mesin e të vdekurve në një numër vendpushimesh të ndryshme të skijimit.
Autoritetet austriake vendosën një alarm të nivelit të katërt për ortekët – i dyti më i madhi – pas reshjeve intensive të borës dhe erës në zonë.Pavarësisht paralajmërimeve, vendpushimet e skive në Austrinë perëndimore janë mbushur plot për shkak të pushimeve shkollore në Vjenë, raporton BBC.
Policia austriake njoftoi pesë vdekje të dielën, duke përfshirë atë të një 59-vjeçari që po përdorte borëpastrues në rajonin perëndimor të Tirolit.Ata gjetën gjithashtu trupat e një udhërrëfyesi skijimi në Sankt Anton am Arlberg dhe një 62-vjeçari i cili po bënte ski në rrugë rreth majës së Hohe Aifner.
Të shtunën, një 17-vjeçar nga Zelanda e Re, një shtetas kinez 32-vjeçar dhe një gjerman rreth të 50-tave – për të cilët thuhej se të gjithë po bënin ski jashtë shtigjeve të përcaktuara të skive kur ranë ortekët – u gjetën gjithashtu të vdekur.Në Zvicër, një grua 56-vjeçare dhe një burrë 52-vjeçar u vranë gjithashtu nga bora e paqëndrueshme në kantonin juglindor të Graubuenden të shtunën në mëngjes. Policia zvicerane tha se një anëtar i tretë i grupit të tyre arriti të shpëtonte i padëmtuar.
Ortekët janë të zakonshëm në të dy vendet. Sipas agjencisë së lajmeve APA të Austrisë, vetëm të shtunën u raportuan 30 orteqe në rajonin e Tirolit – 11 prej tyre përfshinin njerëz.