Orbani bën fushatë zgjedhore me mesazhe anti-Ukrainë
Përballë shanseve të vështira për t’i fituar zgjedhjet e ardhshme, kryeministri pro-rus i Hungarisë po përpiqet të bindë votuesit se kërcënimi më i madh për vendin nuk është stagnimi ekonomik, që është fokusi i kundërshtarit të tij kryesor, por Ukraina fqinje.
Viktor Orban po zhvillon një fushatë agresive mediatike, të mbushur me dezinformim, mesazhi qendror i së cilës është se hungarezët duhet të refuzojnë të rreshtohen me pjesën tjetër të Evropës në mbështetje të Ukrainës kundër pushtimit rus. Sipas tij, kjo rrugë rrezikon ta çojë vendin drejt falimentimit dhe të dërgojë të rinjtë në vijën e frontit.
Billborde të vendosura në të gjithë vendin shfaqin imazhe të gjeneruara me inteligjencë artificiale të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, i rrethuar nga zyrtarë evropianë, duke zgjatur dorën sikur po kërkon para. Është një referencë jo shumë e fshehtë ndaj përpjekjeve të Bashkimit Evropian për ta ndihmuar financiarisht Ukrainën dhe për të forcuar mbrojtjen e saj, ndërsa lufta ka hyrë në vitin e pestë.
“Mesazhi ynë për Brukselin: Ne nuk do të paguajmë!”, thuhet në billbordet e financuara nga shteti.
Nëse kishte ndonjë dyshim, u bë e qartë të hënën pse rezultati i zgjedhjeve të ardhshme në Hungari do të ketë jehonë përtej kufijve të saj, shkruan AP. Hungaria ka bllokuar një paketë të re sanksionesh të BE-së kundër Rusisë, në përgjigje të ndërprerjeve në furnizimin me naftë ruse që kalon përmes Ukrainës, dhe u zotua të vërë veton ndaj çdo politike tjetër pro-Ukrainës derisa furnizimi me naftë të rifillojë.
Orban shihet gjerësisht si aleati më i fortë i Kremlinit në BE. Ndërsa pothuajse të gjitha 26 vendet e tjera të bllokut janë distancuar nga Rusia që nga fillimi i luftës më 24 shkurt 2022, Hungaria ka thelluar bashkëpunimin.
Kryeministri e ka paraqitur marrëdhënien e tij me presidentin rus, Vladimir Putin si pragmatike, duke e lidhur me furnizimin e sigurt të Hungarisë me naftë dhe gaz rus. Por politikat e Orbanit kundër komunitetit LGBTQ+, goditjet ndaj medias dhe organizatave joqeveritare, si dhe etiketimi i kritikëve si “agjentë të huaj”, kanë çuar në akuza se ai po ndjek modelin autoritar të Putinit.
Orban, i cili është rikthye në pushtet në vitin 2010, përballet me sfidën më të fortë ndaj pushtetit të tij në zgjedhjet e caktuara për 12 prill. Lideri më jetëgjatë i BE-së dhe partia e tij e djathtë, Fidesz, po mbeten pas në shumicën e sondazheve të pavarura, përballë kundërkandidatit të tij të qendrës së djathtë, Peter Magyar.
Magyar, 44 vjeç, avokat dhe ish-anëtar i brendshëm i Fideszit i cili është nga partia në vitin 2024, e ka fokusuar fushatën e tij në frenimin e rritjes së kostos së jetesës, përmirësimin e shërbimeve sociale dhe luftën kundër korrupsionit. Ai premton gjithashtu rikthimin e orientimit perëndimor të Hungarisë dhe forcimin e institucioneve demokratike, të cilat janë dobësuar gjatë 16 vjetëve të qeverisjes së Orbanit.
Rritja e tij u ndihmua nga skandale politike që dëmtuan besueshmërinë e partisë së Orbani. Falja presidenciale e dhënë për një bashkëpunëtor në një rast abuzimi seksual të një të mituri, ka shkaktuar zemërim publik, duke çuar në dorëheqjen e presidentit dhe ministrit të Drejtësisë.
Duke humbur terren ndaj Magyarit dhe partisë së tij Tisza, Orban dhe Fidesz po përpiqen të ndryshojnë narrativën. Ata kanë mbuluar vendin me billborde të financuara nga taksapaguesit, si dhe me reklama në radio, televizion dhe rrjetet sociale.
Reklama të tjera, të paguara nga një organizatë e paqartë pro-qeveritare me lidhje me Fideszin, e paraqesin Magyarin si një kukull të Zelenskyt dhe të BE-së, që do ta shiste vendin ndaj interesave të huaja dhe do ta çonte Hungarinë në luftë.

