Orban vlerëson “kapitullin e ri” në marrëdhëniet SHBA-Hungari në vizitën në Shtëpinë e Bardhë

Orban vlerëson “kapitullin e ri” në marrëdhëniet SHBA-Hungari në vizitën në Shtëpinë e Bardhë

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, tha sot se vendi i tij dhe SHBA-ja po hyjnë në atë që ai e quajti “epokë të artë” të marrëdhënieve dypalëshe nën presidencën e Donald Trumpit, raporton Anadolu.

“Arsyeja pse jemi këtu është për të hapur një kapitull të ri mes … Shteteve të Bashkuara dhe Hungarisë”, tha Orban para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, përkrah Trumpit.

Orban pretendoi se gjatë administratës së mëparshme të Joe Bidenit, “çdo gjë u shkatërrua”.

Duke iu drejtuar drejtpërdrejt Trumpit, ai tha: “Ju e rikthyet nivelin e vjetër të marrëdhënieve. I përmirësuat marrëdhëniet dypalëshe. Riparuat atë që ishte bërë keq nga administrata e mëparshme. Kështu që tani jemi në një pozitë mjaft të mirë për të hapur një kapitull të ri, ta quajmë një epokë të artë, mes Shteteve të Bashkuara dhe Hungarisë”.

Orban tha se do të diskutonte me Trump se “si mund të kontribuojmë për t’ju ndihmuar në përpjekjet tuaja për paqe” për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë.

Ai shtoi se një tjetër pikë e negociatave do të ketë të bëjë me “pasojat për popullin dhe ekonominë hungareze nga mosmarrja e naftës dhe gazit nga Rusia”.

“Ne furnizohemi me gaz përmes tubacioneve. Tubacionet nuk janë çështje ideologjike apo politike. Ato janë një realitet fizik, sepse ne nuk kemi porte, ashtu siç e shpjegoi presidenti. Prandaj do të negociojmë për këtë pikë. Është jetike për ne”, tha Orban.

Kryeministri shtoi se 90 për qind e familjeve hungareze përdorin ngrohje me gaz. “Ne kemi vetëm një tubacion që sjell gaz në Hungari, dhe ai është kryesori – ai turk”, shtoi ai.

Duke iu referuar luftës në Ukrainë, Orban tha se SHBA-ja dhe Hungaria kanë një qasje të ndryshme ndaj saj krahasuar me shtetet e tjera evropiane dhe BE-në.

“Qeveritë e vetme pro paqes janë qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe Hungaria e vogël në Evropë. Gjithsesi, të gjitha qeveritë e tjera preferojnë ta vazhdojnë luftën, sepse shumë prej tyre mendojnë se Ukraina mund të fitojë në vijën e frontit, gjë që është një keqkuptim i situatës”, tha Orban.

Trump e pyeti Orbanin: “Pra, do të thoje që Ukraina nuk mund ta fitojë atë luftë?”

“Mrekullitë mund të ndodhin”, u përgjigj Orban.

Trump vazhdoi, duke buzëqeshur: “Po, saktësisht”.

MARKETING