Orban: Rusia nuk u mposht nga Napoleoni e Hitleri, jo më nga Kallas
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán, ka bërë deklarata ironike dhe kritike ndaj qasjes së Bashkimit Europian për luftën në Ukrainë, duke përmendur drejtpërdrejt ish-kryeministren estoneze dhe shefen e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas.
Gjatë një deklarate publike, Orbán tha se Rusia ka përballuar edhe më parë sulme nga fuqi të mëdha ushtarake, por nuk është mposhtur.
“Rusia është sulmuar edhe më parë, për shembull nga Napoleoni, apo jo? Dhe nga Hitleri. Ata nuk ia dolën. Dhe tani sigurisht do t’ia dalë Kaja Kallas,” u shpreh Orbán, në një koment të interpretuar si kritikë ndaj linjës së ashpër të BE-së kundër Moskës.
Kryeministri hungarez është shfaqur vazhdimisht skeptik ndaj sanksioneve dhe mbështetjes ushtarake për Ukrainën, duke theksuar se Europa duhet të përqendrohet te armëpushimi dhe negociatat, në vend të përshkallëzimit të konfliktit.
Deklaratat e Orbán vijnë në një kohë kur brenda Bashkimit Europian vazhdojnë përplasjet politike mbi strategjinë ndaj Rusisë dhe luftës në Ukrainë.

