Orban: BE ka nevojë për bashkëpunim të ngushtë për tregje e mbrojtje, jo politikë
“Bashkimi Evropian ka nevojë për bashkëpunim më të ngushtë për tregjet dhe mbrojtjen, por jo për çështje politike siç është emigracioni, ku dallimet e mëdha mes vendeve e bëjnë të pamundur një gjë të tillë,” -tha të premten kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.
“Nëse na detyroni të bashkohemi për çështje për të cilat nuk pajtohemi, atëherë kështu e shpërbëni Bashkimin Evropian”, tha ai.
Orbani gjithashtu tha se vizitat e tij në Kiev dhe në Moskë në fillim të këtij viti, për të cilat ai u kritikua ashpër nga disa partnerë të BE-së, bënë që ai të vinte në përfundim se “asnjëra palë nuk e ka për qëllim dhe arritjen e armëpushimit tani për tani”.
Hungaria, e cila ka mbajtur lidhje të ngushta me Rusinë prej se Moska e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022, është duke e mbajtur kryesimin gjashtëmujor të Presidencës së BE-së prej korrikut.
Pasi e mori kryesimin e bllokut, Orbani e vizitoi Kievin edhe pastaj udhëtoi befas për në Moskë dhe Pekin, para se të merrte pjesë në samitin e NATO-s në Uashington.
“Misioni i paqes” i deklaruar nga vetë ai mori kritika të mëdha nga disa liderë të BE-së, të cilët e distancuan bllokun nga veprimet e tij. /REL/