Opozita bllokon punën e Kuvendit të Serbisë, kërkon zgjedhje deri në fund të vitit

Opozita bllokon punën e Kuvendit të Serbisë, kërkon zgjedhje deri në fund të vitit

Deputetët e opozitës në Kuvendin e Serbisë vendosën sot të bllokojnë seancën e Kuvendit, në agjendën e së cilës ishte rebalancimi i buxhetit, duke kërkuar që të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare dhe ato të Beogradit, raporton Anadolu.

Kreu i grupit parlamentar opozitar të Klubit të Gjelbër – të Majtë, Radomir Lazoviq, kërkoi në seancë që qeveria të bind qytetarët se sistemi nuk ka dështuar në dy vrasjet masive në Serbi në maj dhe se opozita që organizon protestat kërkon zgjedhje sepse pushteti nuk do të përmbushë kërkesat e protestës “Serbia kundër dhunës”.

Ai vuri në dukje se opozita kërkon zgjedhje të jashtëzakonshme për Beogradin dhe parlamentare deri në fund të vitit.

“Kërkoj që presidenti (Aleksandar) Vuçiq të prononcohet urgjentisht nëse do të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare dhe për Beogradin”, tha Lazoviq dhe shtoi se opozita do ta bllokojë këtë seancë të Kuvendit derisa të marrë përgjigje.

Atyre iu bashkuan deputetë nga opsionet e djathta si Dveri, koalicioni NADA dhe Zavetnik, të cilët thanë se kishin kërkuar më parë zgjedhje të parakohshme.

Kur mbaruan pyetjet parlamentare, deputetët e opozitës u ngritën nga ulëset dhe filluan të thërrisnin “Jashtë” dhe “Hajdutë”, duke fishkëllyer me bilbil, goditur bankat dhe me pankarta “Përgjegjësi për Vulinin”, “Përmbushni kërkesat”, “Përgjegjësi për Gashiqin”, “Kosova është Serbi”, si dhe tabelat e kryqëzuara të televizioneve Pink dhe Happy.

Kërkesat e protestës “Serbia kundër dhunës” janë shkarkimi i ministrit të Punëve të Brendshme Bratislav Gashiq, drejtorit të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit Aleksandar Vulin, shkarkimi i anëtarëve të Këshillit të Organit Rregullativ për Media Elektronike, anulimi i frekuencave kombëtare të televizioneve Happy dhe Pink, anulimi i programeve “reality show”, si dhe anulimi i gazetave të përditshme që propagandojnë urrejtje dhe dhunë.

Kryeministrja serbe Ana Bërnabiq theksoi se propozimi për rebalancimin e buxhetit është shumë i rëndësishëm, sepse ngre standardin e jetesës së qytetarëve dhe se opozita, deputetët e së cilës pengojnë punën e Kuvendit, ka mësuar dhe po mëson nga praktika e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti kur ishte deputet i Vetëvendosjes.

“Kjo do të sigurojë që Serbia, e cila është në vendin tonë të parë dhe mbi të gjitha, të vazhdojë të rritet dhe të zhvillohet. Fakti që opozita jonë mësoi dhe po mëson nga praktika e Kurtit, i cili ishte i pari që e bëri këtë në parlament, flet shumë për ta”, tha Bërnabiq, ndërsa opozitarët thërrisnin “Jasht”.

Ajo deklaroi se rebalancimi i buxhetit sjell më shumë para për nënat, pensionistët dhe trajtimin e fëmijëve dhe të rriturve nga sëmundjet e rralla, si dhe për fermerët, dhe se opozita kërkon të pengojë pensionistët që të marrin 5,5 për qind rritje të pensioneve, fermerët më shumë subvencione, nënat e fëmijëve deri në 16 vjeç 10.000 dinarë për fëmijë, dhe qytetarët e sëmurë rreth katër miliardë dinarë për mjekim brenda dhe jashtë vendit.

“Për nënat, për fëmijët, për fermerët, për shëndetin, për rrugët. Mund të bëni çfarë të doni, por ne nuk do të dorëzohemi. Ju sa më të zëshëm, ne më të fortë. Sepse nëse fitoni, nuk do të ketë rroga, as pensione, e as rrugë. Nuk do të lejojmë, nuk do të tërhiqemi kurrë. Do të luftojmë çdo minutë, çdo orë, çdo sekondë për një Serbi më të mirë”, tha Bërnabiq.

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Vladimir Orliq, theksoi se kjo që po bën opozita në Kuvend është turp dhe se po mundohen ta kthejnë parlamentin në një “pazar gjërash të lira”, sepse i pengojnë nënat të kenë mbështetje për fëmijët e tyre.

MARKETING