Operacion antidrogë në Shqipëri, sekuestrohen 500 kg kanabis

Operacion antidrogë në Shqipëri, sekuestrohen 500 kg kanabis

Gjatë një operacioni antidrogë në Shqipëri janë sekuestruar 500 kg lëndë narkotike kanabis sativa dhe janë arrestuar dhe ndaluar 7 persona, ndërkohë sipas autoriteteve shqiptare lënda narkototike ishte e ambalazhuar për t’u transportuar drejt Türkiyes, raporton Anadolu.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Ermal Muçaj, në një konferencë për mediat u shpreh se nga hetimet intensive të kryera në kuadër të këtij operacioni rezultoi se shtetasit e arrestuar vepronin në mënyrë të organizuar, për të trafikuar lëndë narkotike kanabis sativa, sipas tij drejt shtetit turk, nëpërmjet rrugëve detare.

“Nga hetimet rezultoi se disa shtetas, të organizuar si grup, kryenin veprimtaritë kriminale të prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, dhe po bëheshin gati për të transportuar nëpërmjet kufirit detar, një sasi të madhe lënde narkotike kanabis, me qëllim trafikimin drejt Türkiyes”, ka theksuar Muçaj.

Gjatë operacionit policor antidrogë të koduar “Reset”, janë arrestuar në flagrancë dhe ndaluar 7 persona, shtetas shqiptarë, dhe gjithashtu u shpallën në kërkim dhe disa shtetas të tjerë, banues në Vlorë dhe në Tiranë.

Sipas policisë, gjatë kontrolleve u sekuestruan 34 pako të madhësive të ndryshme, me lëndë narkotike kanabis sativa në formë boçeje, me peshë totale 500 kilogramë.

Gjithashtu theksohet se nga hetimet intensive të kryera në kuadër të këtij operacioni ka rezultuar se këta shtetas vepronin të organizuar në formën e një grupi, për të prodhuar, ambalazhuar dhe trafikuar lëndë narkotike kanabis jashtë vendit.

MARKETING