OKB: Sanksionet e SHBA-ve ndaj Kubës po dëmtojnë rëndë jetën në ishull
Shtetet e Bashkuara duhet të heqin sanksionet e vendosura ndaj Kubës, pasi ato po ndikojnë rëndë në të gjitha aspektet e jetës në vend.
Kështu deklaroi një raportuese e OKB-së.
Alena Douhan, raportuese speciale për masat e njëanshme kufizuese, i cilësoi ato si regjimin më të gjatë të sanksioneve në historinë amerikane.
Ajo theksoi se vetëm Kongresi amerikan mund të shfuqizojë embargon, që daton nga periudha e hershme e Fidel Castro-s.
Qeveria kubane ka insistuar se nuk do të dorëzohet përballë asaj që e quan “politikë ndëshkuese kolektive”.
Douhan tha se breza të tërë kubanësh janë rritur nën këto masa, duke formësuar realitetin ekonomik e social të vendit, raporton Al Jazeera.
Sipas saj, sanksionet janë ashpërsuar që prej vitit 2018 dhe janë intensifikuar ndjeshëm në vitin 2021.
Rivendosja e Kubës në listën amerikane të “sponsorëve të terrorizmit” ka ndikuar më tej në kufizimet financiare.
OKB shtoi se vende dhe kompani të tjera shpesh i binden sanksioneve për të shmangur penalizimet sekondare.
Kjo, gjithmonë sipas OKB-së, e pengon vendin të planifikojë afatgjatë dhe godet rëndë kohezionin social.
Në Kubë ka mungesa të ushqimeve, ilaçeve, energjisë dhe ujit, ndërsa emigracioni i profesionistëve po rritet.
Pasojat kumulative po cenojnë seriozisht të drejtat bazë, përfshirë të drejtën për jetë, ushqim dhe shëndet.
Douhan do të paraqesë një raport të plotë për efektet e sanksioneve para Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në shtator 2026.

