OKB: Pothuajse gjysma e popullsisë së Somalisë e prekur nga fatkeqësitë klimatike

Zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme e Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) të Kombeve të Bashkuara (OKB), Ugochi Daniels tha se gati gjysma e popullsisë së Somalisë është prekur nga fatkeqësitë që lidhen me klimën, transmeton Anadolu.
Daniels lëshoi një deklaratë me shkrim pas vizitës që ajo zhvilloi në Somali. Ajo potencoi thellimin e krizës klimatike dhe zhvendosjes në rajon. “Populli somalez po përjeton disa nga ndikimet më të ashpra të krizës klimatike, e cila ka nxitur zhvendosjen e brendshme dhe ka përkeqësuar tensionet për shkak të burimeve në pakësim”, tha Daniels.
Sipas saj, populli somalez mban peshën kryesore të kësaj krize pavarësisht se nuk kontribuon pothuajse aspak në emetimet globale. “Këto sfida kanë zhvendosur afërsisht 3.6 milionë njerëz dhe kanë prekur gati gjysmën e popullsisë nga fatkeqësitë që lidhen me klimën”, shtoi Daniels.
Duke theksuar si shkallën e krizës ashtu edhe forcën e përgjigjeve lokale, Daniels tha se “Somalia nuk është vetëm një vend i mbushur me sfida, por edhe dëshmi e qëndrueshmërisë. Komunitetet këtu po zhvillojnë zgjidhje inovative lokale që po hedhin themelet për paqe dhe stabilitet ndërsa luftojnë ndikimet e krizës klimatike. Bota ka shumë për të mësuar nga ajo që është arritur këtu”.