OKB: Mbi 100 mijë nxënës regjistrohen në shkollat e Gazës me fillimin e vitit shkollor

Kombet e Bashkuara (OKB) kanë raportuar se më shumë se 100 mijë nxënës janë regjistruar në shkollat në mbarë Rripin e Gazës që kur filloi viti i ri shkollor më 23 shkurt, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, në një konferencë për media tha se deri dje më shumë se 100 mijë nxënës janë regjistruar për të ndjekur procesin mësimor në shkollat në mbarë enklavën palestineze.
“Deri më sot, 165 shkolla publike janë rihapur në Gaza. Për shumicën e nxënësve, kjo do të jetë hera e parë në 16 muaj që kthehen në mësime me prani fizike”, tha Dujarric.
Shifrat palestineze tregojnë se 85 për qind e shkollave në Gaza janë kthyer në jo-funksionale për shkak të bombardimeve izraelite.
Zyra për media e Gazës tha se të paktën 12.800 nxënës, 800 mësues dhe staf administrativ janë vrarë nga sulmet izraelite që nga 7 tetori i vitit 2023, si dhe 1.166 institucione arsimore janë shkatërruar, duke vlerësuar dëmin në sektorin e arsimit në mbi 2 miliardë dollarë.
Më tej, Dujarric foli edhe për situatën në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke e përshkruar si “thellësisht alarmuese”.
“Operacionet e forcave izraelite vazhdojnë në Jenin, Tulkarm dhe Tubas, duke çuar në viktima dhe zhvendosje të tjera dhe duke penguar qasjen në kujdesin shëndetësor, ujë, energji elektrike dhe shërbime të tjera kritike”, tha ai.
Duke cituar Zyrës e Koordinimit të Çështjeve Humanitare (OCHA), Dujarric theksoi se “ligji ndërkombëtar duhet të respektohet dhe civilët duhet të mbrohen”.
Një marrëveshje armëpushimi në Gaza është në fuqi që nga 19 janari, duke ndalur luftën gjenocidale të Izraelit, e cila që nga tetori i vitit 2023 ka vrarë të paktën 48.300 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe e ka lënë enklavën në gërmadha.
Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkomëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli për fushatën ushtarake në Gaza gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi.