OKB-ja: Rreth 11 milionë gra dhe vajza në Sudan përballen me pasiguri akute ushqimore

OKB-ja: Rreth 11 milionë gra dhe vajza në Sudan përballen me pasiguri akute ushqimore

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e grave dhe barazinë gjinore (UN Women) bëri thirrje të martën për veprime urgjente për të mbrojtur dhe për t’i dhënë përparësi grave dhe vajzave në Sudan, ku konflikti i vazhdueshëm dhe kriza në rritje e urisë kanë lënë miliona persona në rrezik, transmeton Anadolu.

“Për më shumë se dy vjet rresht, çdo vijë e frontit në Sudan ka shkatërruar trupat, shtëpitë, mjetet e jetesës dhe të ardhmen e grave dhe vajzave, të cilat kanë duruar skajin më të mprehtë të konfliktit të tmerrshëm të Sudanit”, u tha gazetarëve në Gjenevë Anna Mutavati, drejtoreshë rajonale e UN Women për Afrikën Lindore dhe Jugore.

Sipas alarmit të fundit të UN Women për Dimensionet Gjinore të Pasigurisë Ushqimore në Sudan, gati 11 milionë gra dhe vajza tani janë në një pasiguri akute ushqimore.

“Thjesht të qenit grua në Sudan është një parashikues i fortë i urisë”, tha Mutavati.

Ndërsa luftimet intensifikohen në qytetin El Fasher dhe pasiguria ushqimore përhapet në të gjithë Darfurin, gratë dhe vajzat përballen me “uri ekstreme, zhvendosje, vdekje dhe dhunë seksuale dhe me bazë gjinore”, shtoi ajo.

Situata është përkeqësuar më tej me urinë e deklaruar zyrtarisht nga Klasifikimi i Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore (IPC) në El Fasher dhe Kadugli që nga nëntori.

Sipas UN Women, 73,7 për qind e grave “nuk plotësojnë diversitetin minimal të të ushqyerit, duke reflektuar dieta jashtëzakonisht të dobëta dhe një rrezik të shtuar të kequshqyerjes”.

Mutavati theksoi nevojën urgjente për të siguruar që nevojat specifike të grave dhe vajzave të adresohen në përgjigjet humanitare, duke theksuar se ato janë ndër më të goditurat nga kriza në përshkallëzim e Sudanit.

Ajo gjithashtu bëri thirrje për ndalimin e menjëhershëm të çdo dhune në Sudan, korridore të sigurta për gratë, vajzat dhe të gjithë civilët, prioritizimin e grave dhe familjeve me kryefamiljare gra në ndihmën ushqimore dhe rindërtimin e jetesës së tyre nga aktorët humanitarë.

“Të gjitha palët të mbrojnë gratë dhe vajzat dhe të përmbushin detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar humanitar dhe të të drejtave të njeriut. UN Women u kërkon donatorëve të njohin, të sigurojnë burime dhe të bashkëpunojnë me organizatat e udhëhequra nga gratë”, tha ajo.

Sudani përballet me një krizë humanitare që po përkeqësohet mes një konflikti të përgjakshëm midis ushtrisë dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) që nga prilli i vitit 2023, i cili ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz dhe ka zhvendosur miliona.

Më 26 tetor, RSF mori kontrollin e qytetit El-Fasher dhe kreu masakra, sipas organizatave lokale dhe ndërkombëtare, mes paralajmërimeve se sulmi mund të thellonte ndarjen gjeografike të vendit.

MARKETING