OKB-ja: Qindra mijëra palestinezë në Gaza të ekspozuar ndaj motit të ftohtë dhe me reshje

OKB-ja: Qindra mijëra palestinezë në Gaza të ekspozuar ndaj motit të ftohtë dhe me reshje

Kombet e Bashkuara (OKB) njoftuan se në Gaza, qindra mijëra palestinezë ende janë të zhvendosur dhe të pambrojtur ndaj kushteve të motit të ftohtë dhe me reshje, raporton Anadolu.

Zëvendëszëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Farhan Haq, duke folur para gazetarëve, tha se “kolegët tanë nga Zyra për Koordinimin e Çështjeve Humanitare raportojnë se qindra mijëra njerëz po qëndrojnë në zona të përkohshme dhe janë të ekspozuar ndaj kushteve të ftohta dhe me shi”.

“Partnerët tanë që merren me menaxhimin në terren vlerësojnë se këtë javë, për shkak të erërave të forta, tendat e qindra familjeve janë dëmtuar”, shtoi ai.

Duke theksuar se po bëhen përpjekje për të riparuar tendat e amortizuara ku po strehohen familjet palestineze, Haq nënvizoi nevojën për zgjidhje më të qëndrueshme.

Ai shtoi se për herë të parë që nga viti 2023, në Gaza janë dërguar nga Fondi i OKB-së për Fëmijët (UNICEF) rreth pesë mijë sete argëtimi që përmbajnë lodra dhe materiale shkollore.

“Prej më shumë se dy vitesh, shumë fëmijë po përpiqen të mësojnë pa mjete bazë si fletore, lapsa, goma dhe lapsa ngjyrues”, tha Haq, duke shtuar se OKB-ja po i vazhdon thirrjet për heqjen e kufizimeve të vendosura nga Izraeli për hyrjen e një pjese të këtyre materialeve.

MARKETING