OKB-ja paralajmëron për rritje të krizës shëndetësore në Gaza
MARKETING
Një zëdhënës i OKB-së tha të enjten se pika kufitare Rafah drejt Rripit të Gazës është rihapur për lëvizje të kufizuar të palestinezëve pas një mbylljeje 20-ditore, duke ofruar një mundësi të kufizuar për pacientët dhe përpjekjet humanitare, raporton Anadolu.
MARKETING
“Këtë mëngjes, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe partnerët e saj mbështetën evakuimin mjekësor të nëntë pacientëve të rritur që kanë nevojë për trajtim që nuk është i disponueshëm në Rripin e Gazës. Kolegët tanë në fushën e shëndetësisë thonë se shumica e këtyre pacientëve kanë lëndime traumatike dhe se ata u shoqëruan nga 16 persona në Egjipt”, u tha gazetarëve Farhan Haq.
Pavarësisht këtij zhvillimi, Haq tha se 18.000 pacientë në Gaza mbeten pa trajtimin që u nevojitet urgjentisht.
Ai theksoi se lehtësimi më i gjerë do të varet nga fakti nëse autoritetet izraelite do të lejojnë rifillimin e referimeve drejt Bregut Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, dhe do të mundësojnë hyrjen e më shumë furnizimeve mjekësore në enklavën e rrethuar.
Duke cituar Zyrën për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), Haq tha se Karem Abu Salem (Kerem Shalom) mbetet “e vetmja pikë funksionale kalimi” për furnizimet humanitare dhe tregtare hyrëse, duke paraqitur “një pengesë të madhe”.
“Vetëm dje, tri autokolona të planifikuara të OKB-së për të marrë furnizime nga pika kufitare u detyruan të anulohen pasi autoritetet izraelite na njoftuan se atë ditë do të lejohej vetëm karburanti. Kjo detyroi agjencitë e OKB-së të lënë ushqim, ushqim për bagëti dhe artikuj të tjerë në pikën kufitare për t’u marrë më vonë”, shtoi ai.

