OKB-ja njofton se 12.000 njerëz janë prekur drejtpërdrejt nga tërmeti në Afganistan

OKB-ja njofton se 12.000 njerëz janë prekur drejtpërdrejt nga tërmeti në Afganistan

Zyra e Kombeve të Bashkuara (OKB) për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) njoftoi se 12.000 persona janë prekur drejtpërdrejt fillimisht nga tërmeti në Afganistan, transmeton Anadolu.

OCHA publikoi një raport lidhur me tërmetin shkatërrues të përjetuar në Afganistan dhe i cili rezultoi me vdekjen e shumë personave.

Raporti vuri në dukje se epiqendra e tërmetit me magnitudë 6 ballë, i cili goditi dje në orën 23:47 sipas kohës lokale, ishte rrethi Qama, afërsisht 30 kilometra në verilindje të Jalalabadit.

“Të dhënat fillestare tregojnë se të paktën 800 persona kanë vdekur në katër provinca: Kunar, Laghman, Nangerhar dhe Nuristan, dhe parashikohet se rreth 2.000 të tjerë janë plagosur. Shumica e të plagosurve jetojnë në zona të largëta dhe malore ku rrugët kryesore të aksesit janë bllokuar nga rrëshqitjet e shkëmbinjve dhe rrëshqitjet e dheut”.

Raporti vuri në dukje se të dhënat fillestare tregojnë se afërsisht 12.000 persona janë prekur drejtpërdrejt nga tërmeti dhe se numri i të vdekurve pritet të rritet ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit arrijnë në zonat e prekura.

– Tërmeti në Afganistan

Studimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) njoftoi se një tërmet me magnitudë 6 ballë ndodhi 27 kilometra në verilindje të Jalalabadit, pranë kufirit të Afganistanit me Pakistanin, në një thellësi prej 8 kilometrash.

Autoritetet lokale raportuan se ky është një nga tërmetet më të forta që ka goditur vendin.

Zëdhënësi i Qeverisë së Përkohshme Afgane, Zabihullah Mujahid njoftoi në një konferencë për media se numri i të vdekurve nga tërmeti që ndodhi mbrëmë u rrit në mbi 800 dhe numri i të plagosurve tejkaloi 2.500.

MARKETING