OKB-ja i quan “qesharake” pretendimet izraelite për ushqim të mjaftueshëm në Gaza

Kombet e Bashkuara (OKB) kanë hedhur poshtë pretendimet izraelite se ka mjaftueshëm ushqim në Rripin e Gazës, duke e quajtur pohimin “qesharak” pasi furnizimet humanitare janë jashtëzakonisht të ulëta, transmeton Anadolu.
“Për sa i përket OKB-së, kjo është qesharake. Dua të them, ne jemi në fund të furnizimeve tona, të OKB-së, që erdhën përmes rrugës humanitare”, tha në një konferencë për media zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.
Dujarric përmendi ashpërsinë e situatës, duke theksuar se Programi Botëror i Ushqimit (WFP) po lufton për të ruajtur funksionimin e tij.
“E dini, WFP-ja nuk i mbyll furrat e saj për argëtim”, tha ai.
Dujarric hodhi poshtë një pyetje mbi pretendimet e COGAT-it (Koordinimi i Aktiviteteve Qeveritare të Ushtrisë Izraelite në Territore) se më shumë se 25.200 kamionë ndihma kanë hyrë në Gaza gjatë armëpushimit 6-javor dhe akuzat se Hamasi i ka marrë furnizimet.
“OKB-ja ka mbajtur një zinxhir kujdestarie dhe një zinxhir shumë të mirë kujdestarie për të gjitha ndihmat, për të gjithë ndihmën që është ofruar”, tha ai.
Ai theksoi përmirësimet gjatë armëpushimit, duke u shprehur se, “Ne pamë ndihmat humanitare që vërshuan Gazën. Ne pamë tregjet të riktheheshin në jetë. Pamë që çmimet po binin. Pamë pengjet të liruar. Pamë të burgosurit palestinezë të liruar. Ne duhet t’i kthehemi kësaj”.
Të paktën 50.300 palestinezë janë vrarë në Gaza në sulmet ushtarake të Izraelit që nga tetori i vitit 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli për luftën në enklavën palestineze gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.