OKB: Izraeli anuloi mbi 80 për qind të përpjekjeve tona për operacione humanitare në Gaza

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) tha se Izraeli ka mohuar 29 nga 35 përpjekjet e saj për të aksesuar rezervat e karburantit në Rafah që nga 13 prilli, duke paralajmëruar se mungesa e karburantit kërcënon infrastrukturën kritike në të gjithë Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
MARKETING
Duke cituar Zyrën për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq, në një konferencë për media paralajmëroi se “mungesa e karburantit të aksesueshëm mund të detyrojë më shumë objekte shëndetësore, uji dhe kanalizime të mbyllen”.
“Kjo mund të ndikojë në programet më themelore. Vaksinat, për shembull, kërkojnë karburant për sistemet e zinxhirit të ftohtë”, tha ai, ndërsa ngriti alarmin për rrezikun në rritje të humbjes së linjave jetësore të komunikimit.
“Megjithatë, përpjekjet tona për të aksesuar rezervat e disponueshme të karburantit në Rafah vazhdojnë të refuzohen”, tha Haq duke theksuar se Izraeli vetëm të hënën mohoi 12 nga 24 kërkesat e koordinimit të OKB-së për të kryer operacione humanitare në Gaza.
Këto përfshinin misione për të furnizuar me ujë të pijshëm popullatën e cenueshme në veri të Gazës, për të rikuperuar furnizime kritike me ushqim dhe karburant dhe për të riparuar rrugët kryesore në jug, tha Haq.
“Midis 13 prillit dhe të hënës së kaluar, 29 nga 35 përpjekjet u refuzuan nga autoritetet izraelite. Misioni i mëngjesit të sotëm u refuzua gjithashtu”, deklaroi ai.
“E drejta ndërkombëtare humanitare është shumë e qartë: Nëse popullata nuk furnizohet në mënyrë të mjaftueshme me gjërat thelbësore për mbijetesën e saj, Izraeli duhet të bie dakord për ndihmë humanitare dhe ta lehtësojë atë me të gjitha mjetet që ka në dispozicion”, tha OCHA në deklaratë.