OKB: Ekzekutimet e protestuesve nga Irani shkelin ligjet ndërkombëtare
Shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Turk tha të martën se Irani po shkel ligjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut me ekzekutimin e njerëzve që morën pjesë në protesta.
Irani ka ekzekutuar të paktën katër njerëz në lidhje me protestat që filluan në shtator në përgjigje të vdekjes së 22 vjeçares Mahsa Amini në një qendër paraburgimi.
Autoritetet e drejtësisë në Iran thanë se katër personat e ekzekutuar ishin dënuar për sulm ndaj anëtarëve të forcave të sigurisë. OKB-ja dhe organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kanë kritikuar gjyqet e shpejta, të mbyllura për publikun.
Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut tha se kishte marrë informacione se dy ose më shumë ekzekutime pritet të ndodhin së shpejti.
Zoti Turk i bëri thirrje Iranit që menjëherë të ndalë të gjitha ekzekutimet dhe të fillojë reformat serioze të kërkuara nga qytetarët e tij.
“Është në interesin më të mirë të qeverisë dhe popullit të Iranit që pakënaqësitë e protestuesve të merren parasysh, dhe të ndërmerren reformat ligjore dhe politike të nevojshme për respektimin e lirisë së shprehjes dhe grumbullimit, si dhe mbrojtjen e të drejtave të grave në të gjitha aspektet e jetës”, tha ai.