OKB: 92 për qind e foshnjave në Gaza të privuar nga ushqimi bazë

Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) ka bërë të ditur se 92 për qind e foshnjave në Gaza janë të privuar nga ushqimi bazë për shkak të sulmeve të vazhdueshme të Izraelit, bllokadës dhe mbylljes së kufijve të enklavës palestineze, transmeton Anadolu.
Zyra e përfaqësuesit të OCHA-s në territoret e pushtuara palestineze theksoi se në muajin prill krahasuar me muajin e mëparshëm është rritur me 80 për qind numri i fëmijëve që vuajnë nga uria, që sëmuren dhe marrin trajtim për kequshqyerjen për shkak të pengesës së hyrjes së ndihmave nga mbyllja e pikave kufitare nga Izraeli.
OCHA po ashtu theksoi se së bashku me nënat e tyre 92 për qind e foshnjave të moshës 6 deri në 24 muaj nuk mund të arrijnë as nivelin minimal të nevojave ushqimore bazë.
“Tek foshnjat kjo situatë mund të çojë në rreziqe serioze shëndetësore që mund të vazhdojnë përgjatë gjithë jetës”, paralajmëroi OCHA.
Sipas organit të OKB-së, 65 për qind e palestinezëve në Rripin e Gazës gjithashtu nuk kanë qasje në ujë të pijshëm.