OKB: 700 mijë të zhvendosur që nga muaji mars kur Izraeli shkeli armëpushimin në Gaza

Kombet e Bashkuara (OKB) njoftuan se 700 mijë njerëz janë zhvendosur disa herë që nga muaji mars kur Izraeli shkeli armëpushimin në Gaza, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, në konferencën e tij të përditshme për shtyp bëri deklarata për gazetarët në lidhje me zhvillimet në Gaza.
Dujarric tha se palestinezët u vranë përsëri ndërsa përpiqeshin të merrnin ushqim gjatë fundjavës dhe se partnerët në terren kanë parë se spitalet ishin të mbushura plot dhe shumë pacientë u qëlluan ndërsa përpiqeshin të merrnin ushqim.
“Ne dënojmë pa mëdyshje vrasjen e civilëve”, tha Dujarric, i cili shtoi se Programi Botëror i Ushqimit (WFP) ka dhënë informacionin se 1 në 3 persona në Gaza nuk kanë ngrënë për ditë të tëra.
Dujarric vuri në dukje se kjo ka shtyrë më shumë njerëz drejt rrezikut të vdekjes nga uria dhe se autoritetet izraelite duhet të hapin të gjitha pikat e kalimit për të siguruar shpërndarjen e ndihmës humanitare dhe për të përmbushur detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar humanitar.
– 700 mijë njerëz janë zhvendosur disa herë që nga marsi
Dujarric kujtoi se Izraeli gjithashtu nuk ka lejuar hyrjen e karburantin në Gaza për katër muaj dhe se OKB-ja ka përdorur të gjithë karburantin që ka në përpjekjet për shpëtimin e jetës.
Pasi nënvizoi se karburanti i atyre që sigurojnë shërbimet po mbaron, Dujarric paralajmëroi se: “Mungesa e karburantit do të thotë mungesë e ambulancave, e energjisë elektrike për spitalet dhe mungesë e ujit të pastër për askënd”.
Dujarric deklaroi se karburanti shërben si “një burim jetik për mbijetesë” në Gaza dhe bëri thirrje që karburanti të lejohet të hyjë në Gaza pa vonesë.
Më tej Dujarric bëri të ditur se autoritetet izraelite lëshuan dje një tjetër “urdhër evakuimi”. Ai njoftoi se 700 mijë njerëz janë zhvendosur disa herë që nga muaji mars kur Izraeli shkeli armëpushimin në Gaza.
Gjithashtu zëdhënësi i OKB-së përsëriti se këta njerëz nuk kanë vend të sigurt ku të shkojnë.
Ai tha se autoritetet izraelite vazhdojnë të bllokojnë iniciativat e ndihmës humanitare. Dujarric theksoi se dje u refuzuan drejtpërdrejt 3 nga 8 iniciativat e ndihmës së OKB-së dhe tha ndër të tjera se qasja e papenguar e ndihmës duhet të sigurohet urgjentisht.