OKB: 11 fëmijë të vdekur nga të ftohtit në Gaza që nga fillimi i dimrit
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) tha se familjet në Gaza po vazhdojnë të përballen me kushte të ashpra dimërore, duke bërë të ditur se që nga fillimi i sezonit të dimrit, 11 fëmijë kanë humbur jetën nga të ftohtit, transmeton Anadolu.
Zëvendëszëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Farhan Haq, në konferencën e përditshme për shtyp, tha se punonjësit e Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) raportojnë se familjet në Gaza vazhdojnë të luftojnë me kushtet e rënda të dimrit.
Haq njoftoi se edhe një fëmijë tjetër ka vdekur nga të ftohtit këtë javë, duke e çuar numrin e fëmijëve që kanë humbur jetën në këtë mënyrë që nga fillimi i dimrit në 11. Ai theksoi se që nga tetori, OKB-ja dhe partnerët e saj kanë shpërndarë dhjetëra mijëra tenda, duke siguruar strehim për më shumë se gjysmë milioni njerëz, por nënvizoi se këto tenda ofrojnë mbrojtje të kufizuar, veçanërisht gjatë dimrit.
“Ne vazhdojmë thirrjet për zgjidhje më të qëndrueshme strehimi, për të kufizuar varësinë e njerëzve nga tendat”, tha Haq, duke shtuar se hyrja e ndihmës humanitare dhe mallrave tregtare duhet të vazhdojë pa kufizime dhe të diversifikohet më tej.
Duke u ndalur edhe te zhvillimet në Bregun Perëndimor të pushtuar, Haq tha se gjatë ditëve të fundit, energjia elektrike dhe uji janë ndërprerë në shkolla dhe qendra shëndetësore në Kudsin Lindor, gjë që ka penguar shërbimet jetike për mijëra njerëz.
Haq i bëri thirrje Izraelit që t’i japë fund kufizimeve ndaj ekipeve të ndihmës, përfshirë ndalimet ndaj Agjencisë së OKB-së për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) dhe organizatave ndërkombëtare humanitare, duke deklaruar: “Të gjithë partnerët tanë humanitarë duhet të lejohen të sjellin ndihma dhe të veprojnë pa pengesa në Rripin e Gazës dhe në Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor”.
– Izraeli po anulon licencat e OJQ-ve ndërkombëtare
Izraeli ka njoftuar se, në kuadër të ligjit të ri për organizatat ndërkombëtare joqeveritare, të miratuar në mars 2025, organizatat që nuk rinovojnë regjistrimin e tyre do t’i ndërpresin aktivitetet që nga 1 janari, ndërsa nga 1 marsi do të duhet të largohen nga vendi.
Sipas këtij ligji, Izraeli kërkon që organizatat humanitare që veprojnë në rajon të rinovojnë licencat e tyre dhe, gjatë këtij procesi, të paraqesin të dhënat e identitetit të të gjithë punonjësve palestinezë për “kontroll sigurie”. Organizatat ndërkombëtare humanitare kanë shprehur shqetësim se këto lista mund të përdoren në mënyrë arbitrare nga Izraeli, në kundërshtim me parimet e mbrojtjes së të dhënave personale.
Gjithashtu, forcat izraelite mëngjesin e 20 janarit kryen një bastisje në selinë qendrore të UNRWA-s në Kudsin Lindor të pushtuar, aktivitetet e së cilës ishin ndaluar më 30 janar 2025, duke sekuestruar kompleksin dhe duke shkatërruar objektet brenda tij.

