OIC lëshon Deklaratën e Stambollit, dënon sulmet izraelite dhe ato amerikane në vendet e Lindjes së Mesme

Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OIC) ka lëshuar Deklaratën e Stambollit pas një takimi ministror, duke dënuar fuqishëm sulmet e fundit të Izraelit ndaj Iranit, Sirisë dhe Libanit, si dhe ato amerikane ndaj lokacioneve bërthamore iraniane, transmeton Anadolu.
MARKETING
Deklarata, e lëshuar pas seancës së 51-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të OIC-it në Stamboll, i përshkroi veprimet e Izraelit si shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe shkelje të sovranitetit dhe sigurisë së vendeve të synuara.
Deklarata i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar “të marrë masa parandaluese për të ndaluar këtë agresion dhe për ta bërë Izraelin përgjegjës për krimet e kryera”.
Deklarata gjithashtu njoftoi formimin e një “Grupi Kontakti Ministror” me afat të hapur, i cili do të ngarkohet me vendosjen e kontakteve të rregullta me palët përkatëse rajonale dhe ndërkombëtare për të mbështetur përpjekjet e de-përshkallëzimit, për të ndaluar agresionin kundër Iranit dhe për të arritur një zgjidhje paqësore.
Ajo theksoi nevojën urgjente për të ndaluar sulmet izraelite, duke shprehur gjithashtu shqetësim serioz për përshkallëzimin e rrezikshëm, i cili kërcënon situatën njerëzore, ekonomike dhe mjedisore të rajonit.
OIC gjithashtu shprehu “shqetësim të thellë” për sulmet e fundit të SHBA-së që shënjestruan objektet bërthamore në Iran.
Sekretariati i Përgjithshëm i OIC-it i përshkroi sulmet si një “përshkallëzim i rrezikshëm që mund të çojë në tensione të larta dhe të kërcënojë sigurinë, paqen dhe stabilitetin rajonal”.
“Sekretariati i Përgjithshëm, duke kujtuar deklaratën e 13 qershorit të vitit 2025, që dënonte dhe denonconte shkeljen e sovranitetit të Republikës Islamike të Iranit, si dhe të ligjeve dhe konventave ndërkombëtare, bën thirrje për ulje të tensionit dhe vetëpërmbajtje, si dhe për t’iu drejtuar dialogut dhe për t’u rikthyer në negociata dhe mjete paqësore”, tha OIC.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, herët në mëngjes njoftoi se forcat amerikane kryen sulme ajrore “shumë të suksesshme” në tre lokacione bërthamore iraniane, mes frikës në rritje të një konflikti më të gjerë në rajon.
Armiqësitë shpërthyen më 13 qershor kur Izraeli nisi sulme ajrore në disa vende në të gjithë Iranin, duke përfshirë objekte ushtarake dhe bërthamore, duke bërë që Teherani të nisë sulme hakmarrëse.
Që atëherë, autoritetet izraelite thanë se të paktën 25 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur në sulmet iraniane me raketa, ndërkohë sipas autoriteteve iraniane, të paktën 430 persona janë vrarë dhe më shumë se 3.500 të tjerë plagosur në sulmet izraelite në Iran.