OBSH: Vde’kjet nga kolera rriten me 54 për qind në tetor në krahasim me vitin 2023
Në një raport të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) u zbulua se megjithëse rastet e lidhura me kolerën u ulën në muajin tetor në krahasim me vitin e kaluar, vdekjet për shkak të sëmundjes u rritën me 54 për qind, transmeton Anadolu.
“Nga 1 janari deri më 27 tetor të vitit 2024, një total kumulativ prej 486.760 rastesh të kolerës, diarresë akute me ujë, si dhe 4.018 vdekje u raportuan nga 33 vende në pesë rajone të OBSH-së”, tha OBSH-ja në raportin e saj.
Derisa numri i rasteve të raportuara në tetor të vitit 2024 është 42 për qind më i ulët se e njëjta periudhë në vitin 2023, theksoi OBSH-ja, numri i vdekjeve është rritur me 54 për qind, duke reflektuar “sfida të rënda të reagimit në mjediset e shpërthimit”.
Sipas raportit, faktorë të tillë si konflikti, zhvendosja masive, fatkeqësitë natyrore dhe ndryshimet klimatike kanë intensifikuar shpërthimet, veçanërisht në zonat rurale dhe të prekura nga përmbytjet, ku infrastruktura e dobët dhe qasja e kufizuar në kujdesin shëndetësor vonojnë trajtimin.
“Këto dinamika ndërkufitare i kanë bërë shpërthimet e kolerës gjithnjë e më komplekse dhe më të vështira për t’u kontrolluar”, paralajmëroi OBSH-ja.
Që nga raporti i fundit, shpërthime të reja kolere janë raportuar në Irak me 571 raste dhe një vdekje, Liban me një rast pa vdekje dhe Sudanin e Jugut me 49 raste dhe një vdekje, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vendeve të prekura këtë vit në 33.
OBSH-ja theksoi se rezerva e urgjencës së vaksinave orale të kolerës ishte mesatarisht më pak se 600 mijë doza në tetor, respektivisht “shumë nën objektivin e 5 milionë dozave të nevojshme” për rezervat e urgjencës në çdo kohë për përgjigje efektive ndaj shpërthimit.
“Kjo mungesë e vazhdueshme vazhdon të pengojë përpjekjet për të kontrolluar shpërthimet e kolerës dhe për t’iu përgjigjur menjëherë përhapjes së sëmundjes”, tha raporti i OBSH-së.