OBSH në alarm: Shumë pak vende të gatshme të pranojnë pacientët në gjendje kritike nga Gaza

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka ngritur alarmin mbi mungesën e vendeve që janë të gatshme të pranojnë personat të cilët duhet të evakuohen nga Gaza pasi janë në gjendje të keqe shëndetësore, ndërsa situata humanitare në territorin palestinez vazhdon të përkeqësohet.
Sipas OBSH-së, rreth 15,000 persona, përfshirë 3,800 fëmijë, kanë nevojë për trajtim të specializuar mjekësor jashtë Gazës. Por shumë pak shtete i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes për t’i pranuar.
“Problemi urgjent me të cilin përballemi është se shumë pak vende janë të gatshme të pranojnë pacientët”, shkroi shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një postim në platformën X.
Ai theksoi se të paktën 700 pacientë, përfshirë 140 fëmijë, kanë humbur jetën ndërsa prisnin evakuimin, një shifër tronditëse që nënvizon urgjencën e situatës.