OBSh: Mbi 40.000 banorë të Gazës kanë lëndime me pasoja të përhershme

Gati 42 mijë njerëz në Rripin e Gazës kanë pësuar lëndime me pasoja të përhershme që nga 7 tetori 2023, sipas një raporti të ri të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) të publikuar të enjten, transmeton Anadolu.
Sipas OBSh-së, një në katër nga të plagosurit është fëmijë, ndërsa të paktën 5.000 persona u janë nënshtruar amputimeve. Lëndimet më të rënda përfshijnë mbi 22.000 dëmtime në duar dhe këmbë, më shumë se 2.000 dëmtime të palcës kurrizore, 1.300 dëmtime të trurit dhe mbi 3.300 djegie të rënda. Raporti vë në dukje gjithashtu dëmtime të ndërlikuara të fytyrës dhe syve, veçanërisht te personat që presin evakuim, si një burim gjithnjë në rritje i paaftësisë dhe stigmatizimit.
Raporti paralajmëron se sistemi shëndetësor i Gazës ndodhet në prag të kolapsit, me vetëm 14 nga 36 spitalet pjesërisht funksionale dhe më pak se një e treta e shërbimeve të rehabilitimit të periudhës para luftës që janë ende aktive. Pavarësisht mijëra amputimeve, Gaza ka vetëm tetë specialistë të protezave që mund të prodhojnë dhe vendosin gjymtyrë artificiale.
Fuqia punëtore për rehabilitim është shkatërruar, me të paktën 42 specialistë të vrarë deri në shtator 2024, njoftoi OBSh-ja.
“Rehabilitimi është jetik jo vetëm për shërimin nga traumat, por edhe për personat me sëmundje kronike dhe paaftësi”, ka thënë Richard Peeperkorn, përfaqësues i OBSh-së në territoret palestineze të pushtuara. Ai ka shtuar se zhvendosja, kequshqyerja dhe mungesa e mbështetjes psikosociale po e përkeqësojnë krizën.
Agjencia e OKB-së bëri thirrje për mbrojtje urgjente të sistemit shëndetësor, hyrje të pakufizuar të furnizimeve mjekësore dhe një armëpushim të menjëhershëm.
“Populli i Gazës meriton paqe, të drejtën për shëndet dhe kujdes, dhe një mundësi për t’u shëruar”, theksoi OBSh-ja.
Peeperkorn ka kërkuar veprim ndërkombëtar, duke thënë: “Së pari, na nevojiten shumë më tepër vende që të pranojnë pacientë. Së dyti, po aq e rëndësishme – ndoshta edhe më shumë – është rivendosja e rrugës së referimit mjekësor drejt Bregut Perëndimor dhe Kudsit Lindor”.
Ai ka thënë se raporti, që mbulon periudhën janar–shtator 2025, është “shumë më gjithëpërfshirës” se gjetjet e mëparshme.
“Ajo që kam parë në Gaza, nuk e kam parë kurrë më parë”, ka theksuar ai.
Peeperkorn ka përgënjeshtruar pretendimet se sistemi shëndetësor i Gazës ka qenë gjithmonë i dobët: “Njerëzit thonë gjithmonë, ‘Sistemi shëndetësor ishte shumë i keq.’ Jo, nuk ishte aq i keq. Nuk them se ishte i shkëlqyer… por në përgjithësi, sistemet funksiononin shumë më mirë nga sa mund të imagjinohej”.
“Treguesit shëndetësorë në Gaza dhe në Bregun Perëndimor ishin në fakt më të mirë se në shumë vende fqinje”, ka shtuar ai.
Peeperkorn ka shprehur shqetësim për rritjen e traumës psikologjike: “Vlerësojmë se numri i njerëzve në Gaza që kanë nevojë urgjente për mbështetje mendore dhe psikosociale është më shumë se dyfishuar… sot mbi një milion persona do të kenë nevojë për ndonjë formë ndihme”.
Ai ka theksuar se përpara ofensivës, Gaza kishte “gjashtë qendra komunitare të shëndetit mendor dhe një spital psikiatrik”, por sot “asnjëra prej tyre nuk funksionon më”.
“Mendoj se ndoshta askush në Gaza nuk ka mbetur i paprekur nga ajo që ka ndodhur dhe që ende po ndodh”, ka përfunduar Peeperkorn.