OBSH: Kolera në Sudan vret gati 1.100 njerëz në vitin 2025

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi se shpërthimi i kolerës në Sudan po përkeqësohet këtë vit, duke vrarë gati 1.100 njerëz që nga janari dhe duke i rënduar sistemet tashmë të brishta të kujdesit shëndetësor, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i OBSH-së, Christian Lindmeier për gazetarët në Gjenevë tha se “Mbi 100 mijë raste dhe më shumë se 2.741 vdekje janë raportuar që nga korriku 2024”. Ai tha se “48.768 raste të kolerës dhe 1.094 vdekje janë raportuar nga 1 janari deri më 11 gusht 2025”.
Darfuri është goditur veçanërisht rëndë që kur rasti i parë u raportua në Darfurin Jugor më 29 maj. “Sëmundja tani është përhapur në 28 lokalitete në të 5 shtetet e Darfurit”.
Sipas zëdhënësit, janë raportuar 6.491 raste dhe 130 vdekje ndërsa 52 për qind e të gjitha vdekjeve në shtetet e Darfurit u raportuan nga shteti i Darfurit Jugor.
Lindmeier tha se po bëhen përpjekje për të nisur urgjentisht një fushatë vaksinimi kundër kolerës në lokalitetet prioritare të Darfurit Jugor. Në të gjithë vendin 38 për qind e objekteve shëndetësore janë jofunksionale ndërsa 62 për qind funksionojnë vetëm pjesërisht.
Ai thekson se shkalla e vaksinimit të fëmijëve ka rënë nga më shumë se 90 për qind në vitin 2022 në vetëm 48 për qind. Ndërkohë, gati 20 mijë fëmijë janë pranuar në qendrat e stabilizimit këtë vit për kequshqyerje të rëndë akute me ndërlikime.
OBSH-ja ka verifikuar 177 sulme ndaj objekteve të kujdesit shëndetësor që nga prilli 2023, duke çuar në 1.176 vdekje dhe 362 lëndime. Lindmeier tha se OBSH-ja vazhdon të ofrojë furnizime dhe të mbështesë qendrat shëndetësore, por qasja mbetet shumë e kufizuar.