OBSH-ja: 99 persona, përfshirë 29 fëmijë, të vdekur nga kequshqyerja në Gaza këtë vit

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) deklaroi se vdekjet nga uria po rriten në Gaza, me të paktën 99 persona, përfshirë 29 fëmijë nën moshën pesë vjeç, që kanë vdekur nga kequshqyerja deri më tani këtë vit, raporton Anadolu.
“Deri më tani këtë vit, 99 persona kanë vdekur nga kequshqyerja, përfshirë 29 fëmijë nën pesë vjeç. Këto shifra të raportuara ka gjasa të jenë të nënvlerësuara”, tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Duke theksuar situatën e rëndë në enklavë, Ghebreyesus tha se populli i Gazës ka qenë nën bombardime për gati dy vjet, duke u përballur me zhvendosje të përsëritura dhe akses të kufizuar në shërbime bazë.
“Kequshqyerja është e përhapur dhe vdekjet nga uria po rriten. Në korrik, gati 12.000 fëmijë nën pesë vjeç u identifikuan si të prekur nga kequshqyerja akute – shifra mujore më e lartë e regjistruar ndonjëherë”, tha ai në selinë e OBSH-së në Gjenevë, gjatë një konference mbi çështjet globale të shëndetit.
Ghebreyesus tha se shpërthimet e sëmundjeve po vazhdojnë në Gaza për shkak të mbipopullimit dhe kushteve gjithnjë e më të këqija të ujit, higjienës dhe kanalizimeve, duke e përshkruar situatën si alarmante.
Ai vuri në dukje se OBSH-ja ka ndihmuar në evakuimin e 7/522 pacientëve nga Gaza që nga tetori i vitit 2023. Megjithatë, më shumë se 14/800 pacientë kanë ende nevojë urgjente për kujdes mjekësor.
“Njerëzit po vdesin jo vetëm nga uria dhe sëmundjet, por edhe gjatë përpjekjeve të dëshpëruara për të gjetur ushqim”, shtoi ai.
“Që nga 27 maji, më shumë se 1.600 persona janë vrarë dhe gati 12.000 janë plagosur ndërsa përpiqeshin të merrnin ushqim nga pikat e shpërndarjes”, tha ai më tej.
Që nga 25 qershori, OBSH-ja ka dërguar 68 kamionë me furnizime mjekësore në Gaza, por Ghebreyesus theksoi se kjo përfaqëson vetëm një pjesë shumë të vogël të nevojave të përgjithshme.
“Por kjo sasi është vetëm një fraksion i asaj që nevojitet. Spitalet që ende funksionojnë, qoftë edhe pjesërisht, janë të mbingarkuara dhe kanë mbetur pa furnizime bazë”, vuri në dukje ai.
Izraeli po përballet me zemërim të shtuar për shkak të luftës së tij shkatërruese në Gaza, ku më shumë se 61.000 njerëz janë vrarë që nga tetori i vitit 2023. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën dhe e ka çuar në prag të urisë.
Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhra arresti për Netanyahun dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për luftën e tij ndaj enklavës palestineze.