OBSH: 15 milionë adoleshentë në botë përdorin cigare elektronike

Të paktën 15 milionë adoleshentë të moshës 13 deri në 15 vjeç përdorin cigare elektronike në mbarë botën, sipas raportit të parë global të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Sipas të dhënave, të rinjtë kanë mesatarisht nëntë herë më shumë gjasa të përdorin cigare elektronike sesa të rriturit.
Raporti thekson se mbi 100 milionë persona në botë përdorin këto produkte, përfshirë të paktën 86 milionë të rritur, kryesisht në vendet me standard të lartë jetese, raporton Reuters.
Këto shifra publikohen në një kohë kur përdorimi global i duhanit ka vijuar të bjerë, nga 1.38 miliardë përdorues në vitin 2000, në 1.2 miliardë në vitin 2024. Me rregulloret gjithnjë e më të rrepta kundër duhanit, industria është përqendruar në produktet alternative, si cigaret elektronike, për të kompensuar rënien e shitjeve.
Kompanitë e duhanit thonë se cigaret elektronike synojnë t’u ofrojnë duhanpirësve të rritur një alternativë më pak të dëmshme dhe t’i ndihmojnë të heqin dorë nga tymi tradicional.
“Megjithatë, cigaret elektronike po shkaktojnë një valë të re varësie nga nikotina”, paralajmëroi Etienne Krug, Drejtor i Departamentit për Promovimin dhe Mbrojtjen e Shëndetit në OBSH.