O’Brien: Vuçiqi e di mirë se përdorimi i forcës ndaj Kosovës vë në rrezik ushtarët e NATO-s

O’Brien: Vuçiqi e di mirë se përdorimi i forcës ndaj Kosovës vë në rrezik ushtarët e NATO-s

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e di mirë se përdorimi i çfarëdo force ndaj Kosovës është i papranueshëm pasi vë në rrezik ushtarët e NATO-s.

O’Brien iu përgjigj kërcënimit të fundit të presidentit serb, që aludoi në një pushtim të Kosovës “në një moment të duhur”.

Gjatë një diskutimi me gazetarët të premten, O’Brien ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet t’i reduktojnë tensionet, ndërsa ka kërkuar përgjegjësi për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, ku u vra polici Afrim Bunjaku.
“Sa i përket tensioneve, ne e dimë se e ardhmja për të dyja vendet është në Bashkimit Evropian dhe ekonominë globale. Ne po punojmë me dy qeveritë për të parë se kjo është e mundur. Vuçiqi e di mirë se çfarëdo përdorim i forcës ndaj Kosovës do të ishte i papranueshëm pasi kjo i vë në rrezik ushtarët e NATO-s që janë atje për të mbrojtur popullatën serbe dhe shqiptare. Çështja kyçe këtu është se palët duhet t’i reduktojnë tensionet, edhe ato që ndërlidhen me ushtrimet e ushtrisë përreth kufirit. Duhet përgjegjësi për sulmin e 24 shtatorit dhe presim që kjo të ndodhë shpejtë. Qeveria serbe ka ndërmarrë disa hapa për këtë. Mirëpresim lëvizjen e trupave ushtarake prapa dhe bashkëpunim në hetim. Por këto nuk mjaftojnë”, ka thënë O’Brien.

Ndihmëssekretari amerikan pret nga Qeveria e Kosovës që në ditët në vijim të marrë vendime që janë në përputhje me kërkesat e ndërkombëtarëve.

“SHBA-ja është mbështetëse e fuqishme e Kosovës për përfshirje në organizata ndërkombëtare. Në këtë kontekst, çka shpresojmë të shohim ditëve në vijim është që Qeveria e Prishtinës të marrë vendime që janë në përputhje me kërkesat e partnerëve. Sa i përket vendimit të BQK-së për dinarin, Laj@ak ka ardhur me disa ide specifike. Ne shohim se në veri është shumë e vështirë për njerëzit që t’i blejnë gjërat e përditshme. Rregullorja u zbatua në atë mënyrë që e vështirëson jetesën e serbëve. Miqtë e Kosovës po kërkojnë rishikim të zbatimit që i lejon njerëzit të paguajnë për gjërat e përditshme”, ka shtuar O’Brien.
Ai e ka konsideruar nisjen e faturimit të energjisë në veri si “marrëveshje serioze”.

“Prandaj ajo që duam të shohim është përparim praktik. Po ashtu retorika nacionaliste duhet të ndalet”, ka deklaruar O’Brien.

O’Brien, ashtu sikurse më herët emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e ka bërë të qartë se për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës duhet lëvizur përpara me themelimin e Asociacionit.

“Kosovës i duhen vota në procesin për anëtarësim në Këshillin e Evropës që ka disa kushte që duhet përmbushur. Një nga to ka qenë përparimi në zgjidhjen e pronës së Manastirit të Deçanit. Mori shumë kohë por u zbatua. Po ashtu Kosova duhet të lëvizë përpara me themelimin e Asociacionit para se Këshilli i Evropës të vendosë për anëtarësim”, ka potencuar O’Brien.

O’Brien e Escobar kanë mbajtur konferencë me gazetarët për të ofruar detaje të takimit të fundit të të dërguarve të Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë e Italisë për Ballkanin Perëndimor.

MARKETING