OBI kërkon kundërmasa të rrepta kundër djegies së Kuranit
Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI) ka kërkuar të martën kundërmasa të forta kundër djegies së kopjeve të Kuranit kohët e fundit në Suedi, Holandë dhe Danimarkë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Blloku musliman shprehu një qëndrim të përbashkët kundër përdhosjes së fundit të Kuranit të shenjtë pas një takimi urgjent në qytetin Xheda të Arabisë Saudite.
Në deklaratë thuhet se ata diskutuan veprimet e mundshme që OBI mund të ndërmarrë kundër autorëve të sulmeve të tmerrshme islamofobike.
“Sekretari i Përgjithshëm i OBI-t, Hissein Brahim Taha shprehu shqetësimin e tij për aktet provokuese të aktivistëve të ekstremit të djathtë, duke theksuar se akte të tilla janë akte kriminale të kryera me qëllimin kryesor për të vënë në shënjestër muslimanët, duke fyer fenë, vlerat dhe simbolet e tyre”, thuhet në deklaratë.
Taha tha se qeveritë përkatëse duhet të marrin kundërmasa serioze, veçanërisht pasi provokime të tilla janë kryer vazhdimisht nga ekstremistët e djathtë në vendet e tyre.
Sekretari i Përgjithshëm shtoi se akti i qëllimshëm i përdhosjes së Kuranit dhe fyerjes së Profetit Muhamed nuk duhet parë si një incident i thjeshtë i islamofobisë.
Duke potencuar se veprime të tilla janë fyerje e drejtpërdrejtë për të gjithë popullsinë muslimane prej 1.6 miliardë banorësh, Taha kërkoi nga të gjithë aktorët që të marrin masa për të parandaluar përsëritjen e provokimeve të ngjashme.
Javën e kaluar, ekstremisti danezo-suedez Rasmus Paludan dhe Edwin Wagensveld, politikani holandez i ekstremit të djathtë dhe udhëheqës i grupit islamofobik PEGIDA, dogjën librin e shenjtë të muslimanëve, në Suedi, Holandë dhe Danimarkë.