Nxënësit e zhvendosur në Gaza përpiqen të vazhdojnë arsimimin e tyre mes shkatërrimit
Në një shkollë të lidhur me Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) në Deir al-Balah, në Rripin qendror të Gazës, ku strehohen familjet e zhvendosura palestineze, nxënësit po zhvillojnë mësimet duke u ulur në dysheme në vend që të ulen në banka, raporton Anadolu.
Në Gaza, ku arsimi është pezulluar për gati dy vjet, shumica e shkollave janë shkatërruar nga bombardimet, dhe ndërtesat e mbetura janë bërë qendra strehimi për palestinezët e zhvendosur.
Për të vazhduar aktivitetet arsimore nëpër shkollat që palestinezët i përdorin si hapësira jetese, autoritetet po përpiqen nën kushte të vështira të krijojnë klasat dhe të sigurojnë sërish qasjen e fëmijëve në arsim.
Në klasat e privuara nga materialet themelore arsimore, nxënësit detyrohen të ulen në dysheme betoni për të mësuar.

