Numri i të vdekurve nga rrëzimi i aeroplanit të Air India rritet në 265, vetëm 1 i mbijetuar

Të paktën 265 persona kanë humbur jetën, ndërsa vetëm një pasagjer ka mbijetuar pasi një fluturim i Air India për në Londër u rrëzua pak çaste pas ngritjes nga qyteti Ahmedabad, transmeton Anadolu.
MARKETING
Siç raporton ‘Press Trust of India’ duke cituar burime të policisë, deri më tani janë gjetur 265 trupa pasi aeroplani ‘Boeing 787-8 Dremliner’, që mbante 230 pasagjerë dhe 12 anëtarë të ekuipazhit, u rrëzua në një konvikt të kolegjit mjekësor.
Nga numri total i trupave, 241 në fluturimin AI171 u konfirmuan të vdekur nga Air India, ndërsa pjesa tjetër e të vdekurve besohet se janë studentë dhe vendas aty pranë vendit të -përplasjes së aeroplanit.
Ministri i Punëve të Brendshme i Indisë, Amit Shah, pasi vizitoi vendin e përplasjes, tha se temperatura e lartë për shkak të djegies së karburantit në rrënojat e aeroplanit “nuk la asnjë mundësi” për të shpëtuar pasagjerët. Ai po ashtu theksoi se numri përfundimtar i të vdekurve do të shpallet pasi viktimat të verifikohen me anë të rezultateve të ADN-së.
I mbijetuari i vetëm i rrëzimit u identifikua si shtetasi britanik me origjinë indiane, Viswashkumar Ramesh, i cili u dërgua në spital.
“Air India u shpreh ngushëllimet e saj më të thella familjeve të të ndjerëve. Përpjekjet tona tani janë përqendruar tërësisht në nevojat e të gjithë të prekurve, familjeve dhe të dashurve të tyre”, tha kompania ajrore.
Vijay Rupani, një ish-kryeministër i shtetit perëndimor indian Gujarat, ku u rrëzua avioni, u konfirmua gjithashtu i vdekur.
Presidentja Droupadi Murmu shprehu “ngushëllimet e saj të përzemërta” të afërmve të ish-kryeministrit Rupani dhe e quajti incidentin si “krejtësisht shkatërrues”.
Kryeministri Narendra Modi, nga ana e tij, e quajti rrëzimin “zemërthyes përtej fjalëve, që na ka tronditur dhe trishtuar”.
Tata, kompania zotëruese e Air India, u zotua se të sigurojë 10 milionë rupi indiane (116.863 dollarë) për familjet e të ndjerëve, të mbulojë shpenzimet mjekësore të të lënduarve dhe të mbështesë riparimin e konviktit.
Ministri indian i aviacionit, Kinjarapu Ram Mohan Naidu, tha se një hetim zyrtar ka nisur nga Hetimi i Aksidenteve të Avionëve.
Presidenti dhe shefi ekzekutiv i prodhuesit të hapësirës ajrore Boeing, Kelly Ortberg, tha se Boeing ishte gati të ndihmojë me hetimin.
Në fluturim ndodheshin 169 shtetas indianë, 53 shtetas britanikë, shtatë portugezë dhe një kanadez, përveç dy pilotëve dhe dhjetë anëtarëve të ekuipazhit të kabinës.