Numri i të vdekurve në Gaza rritet në mbi 65.400 për shkak të sulmeve të pamëshirshme izraelite

Të paktën 65.419 palestinezë janë vrarë në luftën gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023, transmeton Anadolu.
Një deklaratë e Ministrisë palestineze të Shëndetësisë konfirmoi se 37 trupa, përfshirë katër të nxjerrë nga rrënojat, u sollën në spitale në 24 orët e fundit, ndërsa 175 persona u plagosën, duke e çuar numrin e të plagosurve në 167.160 në sulmin izraelit.
“Shumë viktima janë ende të bllokuara nën rrënoja dhe në rrugë pasi ekipet e shpëtimit nuk janë në gjendje t’i arrijnë”, thuhet në deklaratë.
Ministria gjithashtu njoftoi se pesë palestinezë u vranë dhe 20 të tjerë u plagosën nga zjarri i ushtrisë izraelite ndërsa përpiqeshin të merrnin ndihmë humanitare në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin total të palestinezëve të vrarë ndërsa kërkonin ndihmë në 2.531, me mbi 18.531 të tjerë të plagosur që nga 27 maji.
Ushtria izraelite rifilloi sulmet e saj në Rripin e Gazës më 18 mars dhe që atëherë ka vrarë 12.823 persona dhe ka plagosur 54.944 të tjerë, duke shkelur një marrëveshje armëpushimi dhe shkëmbimi të të burgosurve që hyri në fuqi në janar.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.