Numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza tejkalon 52.800

Të paktën 52.810 palestinezë janë vrarë në luftën gjenocidale të Izraelit në Gaza që nga tetori i vitit 2023, transmeton Anadolu.
MARKETING
Ministria e Shëndetësisë me bazë në Gaza njoftoi se 23 persona të tjerë u vranë nga sulmet izraelite në enklavë brenda 24 orëve të fundit, ndërkohë 124 të tjerë u plagosën, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të plagosurve në të paktën 119.473.
“Shumë viktima mbeten të bllokuara nën rrënoja dhe në rrugë, me ekipet e shpëtimit që nuk mund t’i arrijnë ata”, tha ministria palestineze.
Më 18 mars, ushtria izraelite rifilloi sulmet ndaj Rripit të Gazës dhe vetëm që atëherë ka vrarë 2.701 palestinezë dhe ka plagosur 7.432 të tjerë, duke thyer një marrëveshje armëpushimi dhe shkëmbimi të të burgosurve që hyri në fuqi në muajin janar.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Për luftën në enklavë, Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.