Numri i emigrantëve të paligjshëm shqiptarë drejt Britanisë ka rënë me 90 për qind, thotë Balla

Numri i emigrantëve të paligjshëm shqiptarë drejt Britanisë ka rënë me 90 për qind, thotë Balla

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, dhe ministri britanik për Emigracionin, Robert Jenrick, vizituan së bashku Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”, për të parë nga afër përpunimin e të dhënave të shtetasve shqiptarë të kthyer nga Britania, transmeton Anadolu.

Në një njoftim nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë, thuhet se dy ministrat vizituan task-forcën e cila funksionon në ambientet e godinës së re të Komisariatit të Policisë Rinas, ndërtuar në maj 2022, e cila është financuar nga qeveria britanike.

Sipas ministrisë, kjo njësi kryen shkëmbimin, verifikimin, përpunimin dhe shpërndarjen e informacionit nëpërmjet mekanizmave të sigurt të komunikimit, që lidhen me emigracionin e paligjshëm, falsifikimin dhe mashtrimin me dokumentet në lidhje me emigracionin.

“Prej Komunikatës së Përbashkët të dhjetorit 2022 të kryeministrave të dy shteteve, Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria e kanë përforcuar edhe më shumë bashkëpunimin mes tyre. Gjatë kësaj periudhe, numri i shtetasve shqiptarë që shkojnë në mënyrë të paligjshme drejt Mbretërisë së Bashkuar ka rënë me 90 për qind krahasuar me vitin e shkuar, dhe është vënë re një rritje e numrit shtetasve shqiptarë, të kthyer në përmbushje të marrëveshjes së suksesshme”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu në aeroport janë ndërtuar ambiente të posaçme për intervistimin e shtetasve të kthyer, subjekt i riatdhesimit. Sipas njoftimit, pala britanike ka asistuar Policinë e Shqipërisë edhe me pajisje logjistike, duke rritur kapacitetet përpunuese të strukturës.

Ministri britanik, Jenrick, ndodhet në Tiranë si pjesë e Ministerialit të Ministrave të Brendshëm në kuadër të Procesit të Berlinit, që mbahet më 14 shtator.

Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar nënshkruan në fund të vitit 2022 deklaratën e përbashkët mbi “thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fushat me interes të përbashkët”, duke përfshirë edhe çështjen emigracionit të paligjshëm, çështje që ka shkaktuar debate dhe reagime në Britani dhe Shqipëri.

MARKETING