“Nuk kemi votuar për ChatGPT”, kryeministri suedez kritikohet pse përdor AI-n në punë

Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, është kritikuar ashpër pasi pranoi se përdor rregullisht mjetet e inteligjencës artificiale për të marrë një mendim të dytë në lidhje me drejtimin e vendit.
Kristersson, i cili drejton qeverinë e koalicionit të qendrës së djathtë, tha se përdor ChatGPT dhe shërbimin francez LeChat. Ai shtoi se edhe kolegët e tij përdorin AI-n në punën e përditshme.
Në një intervistë për gazetën suedeze Dagens Industri, Kristersson tha: “E përdor vetë mjaft shpesh. Nëse jo për asgjë tjetër, atëherë thjesht për një mendim të dytë. Çfarë kanë bërë të tjerët? Dhe a duhet të mendojmë krejt ndryshe? Pyetje të tilla.”
Megjithatë, ekspertët e teknologjisë kanë shprehur shqetësime për përdorimin e AI-t nga politikanët në këtë mënyrë, dhe gazeta Aftonbladet akuzoi Kristersson-in në një editorial se “ka rënë pre e psikozës oligarkike të inteligjencës artificiale”.
“Duhet të jesh shumë i kujdesshëm,” tha Simone Fischer-Hübner, kërkuese në shkencën kompjuterike në Universitetin Karlstad, duke paralajmëruar për përdorimin e ChatGPT-së për informacione të ndjeshme.
Zëdhënësi i Kristersson-it, Tom Samuelsson, tha më vonë se kryeministri nuk merr rreziqe në përdorimin e AI-t.
“Natyrisht, nuk është informacion i ndjeshëm ndaj sigurisë ai që përfundon atje. Përdoret më shumë si një platformë”, tha ai, citon The Guardian.
Por Virginia Dignum, profesoreshë e inteligjencës artificiale të përgjegjshme në Universitetin Umea, tha se AI nuk është në gjendje të japë një opinion të kuptueshëm mbi idetë politike dhe thjesht pasqyron mendimet e atyre që e kanë ndërtuar.
“Sa më shumë të mbështetet tek AI për gjëra të thjeshta, aq më i madh është rreziku i besimit të tepruar në sistem. Është një shpat i rrëshqitshëm,” tha ajo për gazetën Dagens Nyheter. “Duhet të kërkojmë që të garantohet besueshmëria. Ne nuk kemi votuar për ChatGPT.”