“Nuk ka rrezik që ajo të arratiset”: Federica Mogherini, e akuzuar për mashtrim, është liruar brenda natës
Ish-Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian (BE) për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Federica Mogherini, dhe zyrtari i lartë i Komisionit Evropian, Stefano Sannino, u liruan të martën vonë në mbrëmje.
Një gjë e tillë erdhi pasi ata u ndaluan si të dyshuar në një hetim për mashtrim që tronditi Brukselin, njoftoi Zyra e Prokurorit Publik Evropian, raporton sot portali Euractiv.
Të dy u ndaluan të martën pas një serie bastisjesh të kryera nga policia belge në selinë e shërbimit diplomatik të BE-së në Bruksel, në Kolegjin e Evropës në Bruges, si dhe në banesa private.
Prokuroria dyshon se të dy vepruan në bashkëpunim në vitet 2021 dhe 2022 për të drejtuar një tender publik për një akademi të re diplomatike të BE-së drejt Kolegjit të Evropës, ku Mogherini është rektore dhe drejton projektin.
Akademia financohet nga shërbimi diplomatik i BE-së, EEAS, të cilin Mogherini e drejtoi midis viteve 2014 dhe 2019, dhe në të cilin Sanino mbajti një pozicion të lartë kur u mor vendimi se ku do të vendosej akademia.
Një tjetër zyrtar i lartë i Kolegjit të Evropës u arrestua gjithashtu.
“Pas marrjes në pyetje nga Policia Federale Gjyqësore Belge… tre individët janë informuar zyrtarisht për akuzat kundër tyre”, ka thënë Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO) në një deklaratë.
Akuzat përfshijnë “mashtrim dhe korrupsion në prokurimin publik, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional”.
Sipas ligjit belg, etiketimi i dikujt si i dyshuar do të thotë se një hetim është duke vazhduar dhe se ata mund të merren në pyetje përsëri, por kjo nuk nënkupton fajësi.
EPPO tha se të dyshuarit u liruan sepse “nuk konsideroheshin si në rrezik arratisjeje”. Ata mbeten të pafajshëm ndërsa hetimi vazhdon. /Telegrafi/

