Nuk ka mbështetje për Windows 11 në pajisjet e vjetra

Nuk ka mbështetje për Windows 11 në pajisjet e vjetra

Microsoft ka “shuar” çdo shpresë për uljen e kërkesave të nevojshme që pajisjet të mbështesin sistemin operativ Windows 11. Mbështetja për Windows 10 do të përfundojë në tetor të vitit 2025, dhe kompania ka bërë të qartë se moduli i tyre Trusted Platform Module (TPM) 2.0 është një standard i panegociueshëm për Windows 11.

Teknologjia TPM 2.0 ishte një kërkesë befasuese kur Windows 11 u prezantua në vitin 2021. Sot, pothuajse çdo kompjuter modern që shitet vjen me mbështetje për TPM 2.0.

Në thelb, TPM është një çip ose softuer në nivelin e harduerit që ndihmon në kriptimin dhe dekriptimin e të dhënave, verifikimin e nënshkrimeve dixhitale dhe kryerjen e operacioneve të tjera kriptografike.

Sipas Steven Hosking, menaxher produkti në Microsoft, “TPM 2.0 luan një rol kyç në përmirësimin e mbrojtjes së identitetit dhe të dhënave në pajisjet Windows, si dhe në ruajtjen e integritetit të sistemit. Ai gjithashtu ndihmon në mbrojtjen e informacionit të ndjeshëm në një kohë kur gjithnjë e më shumë funksione të inteligjencës artificiale po integrohen në infrastrukturën fizike, cloud dhe server”.

TPM 2.0 siguron mbështetje për Secure Boot, një teknologji thelbësore që mbron procesin e nisjes së sistemit nga ndryshimet e paautorizuara. Për më tepër, integron veçori të reja sigurie në Windows 11, si Credential Guard, Windows Hello for Business, dhe enkriptimin e diskut me BitLocker.

Hosking theksoi se TPM 2.0 është një standard për të ardhmen e Windows-it, dhe nuk do të ketë asnjë kompromis për këtë kërkesë. Kjo gjithashtu nënkupton që pajisjet që nuk plotësojnë kërkesat e harduerit, si procesorët e prodhuar para vitit 2018, nuk do të mbështeten nga Windows 11. /Telegrafi/

MARKETING