Norvegjia paralajmëron se kriza në Ngushticën e Hormuzit mund të trondisë ekonominë
Ministri i Financave i Norvegjisë, Jens Stoltenberg, ka paralajmëruar se kriza në Ngushticën e Hormuzit mund të ketë pasoja për ekonominë e vendit, transmeton Anadolu.
Stoltenberg për transmetuesin NRK tha se bllokada e vendosur nga SHBA-ja ndaj trafikut detar në rajon mund ta bëjë më të vështirë transportin e naftës dhe gazit përmes Ngushticës së Hormuzit.
“Kjo do të kontribuojë në rritjen e çmimeve të energjisë. Mund të çojë në inflacion më të lartë në mbarë botën dhe gjithashtu do të ndikojë në ekonominë norvegjeze”, theksoi ai.
Sot, ushtria amerikane nisi zbatimin e një bllokade ndaj gjithë trafikut detar që hyn dhe del nga portet e Iranit.
Dje, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM), që mbikëqyr operacionet ushtarake në Lindjen e Mesme, tha se bllokada do të “zbatohet në mënyrë të paanshme ndaj anijeve të të gjitha vendeve” që hyjnë ose dalin nga portet iraniane në Gjirin Persik dhe Gjirin e Omanit.
Ky zhvillim pasoi bisedimet e rralla të drejtpërdrejta mes SHBA-së dhe Iranit në Pakistan gjatë fundjavës, të cilat synonin t’i japin fund luftës që filloi më 28 shkurt, por që përfunduan pa marrëveshje.

