Norvegjia do të ndalojë shitjen e pijeve energjike për fëmijët nën 16-vjeç

Qeveria norvegjeze ka bërë të ditur se vendi nga 1 janari do të ndalojë shitjen e pijeve energjike për fëmijët nën moshën 16-vjeç, duke përmendur shqetësimet në rritje për rreziqet shëndetësore të lidhura me konsumin e tepërt, transmeton Anadolu.
Ministri norvegjez i Shëndetësisë, Jan Christian Vestre, tha se vendimi ka për qëllim mbrojtjen e të rinjve.
“E dimë që konsumi i tepërt i pijeve energjike çon në shqetësim, probleme me gjumin dhe vështirësi në përqendrim. Mund të çojë gjithashtu në dëmtime të sistemit kardiovaskular dhe sistemit nervor qendror”, tha ai.
Qeveria e paraqiti propozimin për herë të parë në pranverë, duke e nxjerrë atë për konsultim. Drejtoria e Shëndetësisë mbështeti planin, ndërsa Shoqata Mjekësore Norvegjeze dhe Instituti Norvegjez i Shëndetit Publik kërkuan një kufi moshe më të rreptë prej 18-vjeç.
Kreu i bordit profesional të Shoqatës Mjekësore, Stale Onsgard Sagabraten, tha se është zhgënjyese që “qeveria zgjedh të injorojë këshillat e qarta profesionale dhe zgjedh një kufi moshe prej 16-vjeç”.
“Ne prisnim një politikë më ambicioze të shëndetit publik, në përputhje me parimin paraprak”, tha ai.
Ministri Vestre e mbrojti këtë veprim, duke theksuar se qeveria bëri një “vlerësim gjithëpërfshirës”.
“Ka argumente për vendosjen e kufirit të moshës në 18-vjeç. Por ne besojmë se shumë 16-vjeçar janë mjaftueshëm të pjekur për të bërë zgjedhje të informuara dhe të mira. Kjo është arsyeja pse e kemi vendosur kufirin në 16-vjeç”, tha ai.
Vendimi ka tërhequr kritika edhe nga industria e pijeve. Erlend Vagnild Fuglum, drejtor i Shoqatës Norvegjeze të Birrave dhe Pijeve, tha se masa ishte e panevojshme.
“Ne pajtohemi me Autoritetin Norvegjez të Sigurisë Ushqimore, i cili beson se një kufizim moshe nuk është as i nevojshëm dhe as proporcional”, tha Fuglum.
Ai argumentoi se qeveria duhet të kishte pritur për të parë ndikimin e një ndalimi të ri për marketingun e ushqimeve dhe pijeve të pashëndetshme për fëmijët, i cili mbulon edhe pijet energjike.