Nora Gjakova mbyll karrierën: Një kapitull i artë që përfundon në fund të vitit 2025

Nora Gjakova mbyll karrierën: Një kapitull i artë që përfundon në fund të vitit 2025

Pas 23 vitesh të përkushtuara në sportin e xhudos, kampionia olimpike nga Kosova, Nora Gjakova ka njoftuar zyrtarisht pensionimin në moshën 33-vjeçare, duke mbyllur një rrugëtim historik të mbushur me sakrificë, fitore dhe krenari kombëtare.

Në ditën e fundit të vitit 2025, njëra nga xhudistët më të suksesshme kosovare ka vendosur t’i japë fund karrierës së saj sportive, një rrugëtimi që, siç thekson vetë ajo, ka qenë e gjithë jeta e saj deri më tani. E rritur dhe e formuar me sportin e xhudos, ajo shprehet e lumtur që arriti ta jetojë ëndrrën e saj deri në fund.

Sfidat, humbjet dhe fitoret, sipas saj, mbesin kujtime të pashlyeshme që e ndërtuan si sportiste dhe si njeri, duke e renditur ndër sportistet më të suksesshme shqiptare të të gjitha kohërave. Pas 23 vitesh karriere, ajo thotë se ndihet e përmbushur me gjithçka që ka arritur në arenën sportive.

Në mesazhin e saj të ndarjes, ajo ka falënderuar familjen për hapat e parë, trajnerin Driton Kuka për rrugën drejt titullit olimpik, klubin Ippon të Pejës, shtetin e Kosovës për nderin e përfaqësimit dhe gjithë shqiptarët për përkrahjen ndër vite. “Drejt fillimeve dhe ëndrrave të reja”, përfundon ajo, duke uruar një vit të mbarë 2026.

 

MARKETING