Njohja nga Sudani, Kurti: Një njohje e re dhe një miqësi më shumë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përshëndetur njohjen e Kosovës nga Sudani, duke e cilësuar si një miqësi më shumë.
Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “shtetit tonë iu shtua edhe një njohje e re e popullit tonë një miqësi më shumë”.
“E mirëpresim njohjen nga shteti i Sudanit, e cila vjen disa javë pas asaj nga Kenia”, ka shkruar Kurti, transmeton Telegrafi.
Më tej Kurti ka thënë se “vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve tona shpresojmë të zgjerohet dhe fuqizohet më tej”.
“Urime qytetarëve të Republikës sonë dhe faleminderit Presidentit të Sudanit për këtë vendim të rëndësishëm për marrëdhënien mes dy vendeve tona, si dhe Presidentes sonë për angazhimin e saj e miqve dhe partnerëve tanë për mbështetjen e vazhdueshme”, ka shkruar Kurti.
Presidentja Osmani, sot ka njoftuar se Sudani, vend në verilindje të Afrikës, e ka njohur pavarësinë e Kosovës të shtunën.
Në një njoftim në X, Osmani tha se Kosova dhe Sudani janë pajtuar për të lidhur marrëdhënie diplomatike.
“Ky është fillimi i një partneriteti madhështor”, shkroi Osmani.
Njohja nga Sudani është e dyta brenda javësh për Kosovën, pasi një shtet tjetër afrikan, Kenia e njohu atë në fund të marsit.