Një vit më pas, Izraeli ende e mban pa akuzë mjekun e Gazës, Hussam Abu Safia

Një vit më pas, Izraeli ende e mban pa akuzë mjekun e Gazës, Hussam Abu Safia

Dr. Hussam Abu Safia, 52 vjeç, vazhdon të mbahet në një burg izraelit një vit pasi Izraeli e arrestoi pa ngritur akuza dhe pa gjyq.

Familja dhe mbështetësit e tij po kërkojnë lirimin e menjëhershëm, ndërsa gjendja shëndetësore e tij po përkeqësohet mes raportimeve për kushte çnjerëzore të paraburgimit.

Abu Safia, i njohur për qëndrueshmërinë e tij si drejtor i Spitalit Kamal Adwan në Beit Lahiya, në veri të Qytetit të Gazës, është kthyer në një figurë qendrore në diskutimet ndërkombëtare mbi mbrojtjen e personelit mjekësor në konfliktet e armatosura.

Ai këmbënguli të qëndronte në spital, së bashku me disa anëtarë të stafit mjekësor, pavarësisht sulmeve të vazhdueshme izraelite ndaj objektit shëndetësor.

Izraeli përfundimisht e rrethoi spitalin dhe detyroi të gjithë të evakuoheshin. Që prej asaj kohe, Abu Safia ndodhet në paraburgim dhe spitali është jashtë funksionit.

Ai është transferuar mes burgjeve izraelite, nga qendra famëkeqe e ndalimit Sde Teiman në Burgun Ofer, duke u keqtrajtuar vazhdimisht.

Asnjë akuzë nuk është ngritur ndaj Abu Safias, i cili mbahet nën ligjin për “luftëtarë të paligjshëm”, që lejon ndalimin pa një proces penal standard dhe ua mohon të ndaluarve qasjen në provat kundër tyre.

Vuajtja e një familjeje

Abu Safia po mbahet në kushte ekstreme dhe, sipas avokatëve, ka humbur më shumë se një të tretën e peshës trupore.

Familja e tij është e shqetësuar, pasi ai vuan edhe nga probleme kardiake, rrahje të çrregullta të zemrës, tension i lartë i gjakut, infeksione të lëkurës dhe mungesë e kujdesit të specializuar mjekësor.

Djali i tij i madh, Ilyas, 27 vjeç, i tha Al Jazeera-s përmes Zoom-it nga Kazakistani, ku familja u largua një muaj më parë, se dhimbja e tyre për ndalimin e Abu Safias është e madhe, duke shtuar se “krimi” i vetëm i babait të tij ishte se ishte mjek.

Ilyas, nëna e tij Albina dhe katër vëllezër e motra qëndruan me babanë e tyre në Spitalin Kamal Adwan gjatë sulmeve izraelite, pavarësisht mundësive për t’u larguar nga Gaza, veçanërisht duke pasur parasysh se Albina është shtetase e Kazakistanit.

Më 26 tetor 2024, Izraeli vrau vëllain e Ilyas-it, Ibrahimin, 20 vjeç, gjatë bombardimit të spitalit.

“I gjithë stafi mjekësor qau nga dhimbja për [babanë tim] dhe për Ibrahimin,” tha Ilyas.

Marrja e Dr. Abu Safias

Në agimin e 27 dhjetorit 2024, spitali u zgjua nën një rrethim izraelit të përforcuar, me tanke dhe dronë quadcopter.

Tanket izraelite kishin qenë rreth Spitalit Kamal Adwan që nga mesi i tetorit 2024, duke u afruar gradualisht – duke shkatërruar pjesë të infrastrukturës, si rezervuarët e ujit – deri në atë ditë, kur ishin aq pranë sa askush nuk mund të dilte jashtë.

Pacientët dhe stafi u mblodhën në korridorin e pritjes së urgjencës, sipas Dr. Walid al-Badi, 29 vjeç, i cili qëndroi me Abu Safian deri në arrestimin e tij dhe foli për Al Jazeera-n më 25 dhjetor nga Spitali Baptist në Qytetin e Gazës.

“Situata ishte jashtëzakonisht e tensionuar, altoparlantët bënin thirrje që të gjithë të evakuoheshin, por Dr. Abu Safia na kërkoi të qëndronim të qetë. Pastaj altoparlantët thirrën Dr. Abu Safian të shkonte te tanku.”

Abu Safias iu urdhërua të hynte në një automjet të blinduar. Sipas al-Badit, mjeku u kthye duke mbajtur një fletë me udhëzime, i shpërfytyruar, me rrobat plot pluhur dhe me një mavijosje nën mjekër.

Të gjithë nxituan të shihnin gjendjen e tij dhe ai u tha se ishte sulmuar.

“Mediet izraelite shfaqën një video duke pretenduar se ata … e trajtuan me respekt, por nuk treguan … se si u sulmua në tank, u kërcënua,” tha al-Badi.

Abu Safia u urdhërua nga izraelitët të përgatiste një listë të të gjithëve që ndodheshin në spital, gjë që ai e bëri dhe u kthye në automjetin e blinduar, ku iu tha se vetëm 20 anëtarë të stafit mund të qëndronin. Të tjerët duhej të largoheshin.

“Rreth orës 10 të mëngjesit, izraelitët lejuan disa autoambulanca të merrnin pacientë, të plagosur, disa civilë të zhvendosur dhe familjen e mjekut drejt Spitalit Indonezian [rreth 1 km larg], ndërsa ekipet mjekësore u larguan në këmbë,” rrëfen al-Badi.

Megjithatë, disa pacientë mbetën pas, të rrethuar bashkë me mjekët.

“Mjeku më tha të largohesha, por unë i thashë se do të qëndroja me të deri në fund.”

E vetmja mjeke femër që mbeti ishte shefja e repartit të kujdesit intensiv, Dr. Mai Barhouma, e cila foli për Al Jazeera-n nga Spitali Baptist.

Barhouma po kujdesej për pacientë në gjendje kritike, të varur nga pajisjet mjekësore dhe oksigjeni, dhe ndërgjegjja nuk e lejoi të largohej, pavarësisht se Abu Safia i kërkoi ta bënte këtë.

Ushtria izraelite e thirri disa herë Abu Safian për udhëzime të reja; një herë, sipas Dr. Barhoumës dhe al-Badit, i ofroi atij një dalje të sigurt vetëm për vete.

Ai refuzoi, duke këmbëngulur se do të qëndronte me stafin e tij. Rreth orës 22:00, dronët quadcopter urdhëruan të gjithë të rreshtoheshin dhe të evakuoheshin.

Gjatë kësaj kohe, Izraeli bombardoi dhe i vuri flakën katet e sipërme dhe ndërpreu energjinë elektrike.

“Na u thye zemra teksa Dr. Abu Safia na udhëhoqi jashtë,” kujton al-Badi. “E përqafova Dr. Abu Safian, i cili po qante teksa largohej nga spitali ku kishte luftuar aq fort për të qëndruar.”

Dëshmitë nga ajo ditë thonë se stafi mjekësor u dërgua në Shkollën al-Fakhoura në Jabalia, ku u rrah dhe u torturua nga ushtarë izraelitë gjatë marrjeve në pyetje.

Barhouma u largua me autoambulancë bashkë me një pacient të kujdesit intensiv, por ambulanca u mbajt për orë të tëra pranë shkollës.

“Ushtarët na lidhën duart dhe na detyruan të ecim drejt Shkollës al-Fakhoura, [rreth 2 km larg] nga spitali. Kolegu ynë që ishin larguar në mëngjes ishin ende aty, duke u torturuar,” rrëfen al-Badi, duke shtuar se mbërritën rreth mesnatës.

“Na urdhëruan të zhvishemi deri në të brendshme, na lidhën duart dhe filluan të na rrihnin rëndë me çizme dhe me kondakë pushkësh, duke na fyer dhe sharë.”

Marrjet në pyetje dhe rrahjet e mjekëve në të ftohtin përvëlues vazhduan për orë të tëra, ndërkohë që Barhouma ndodhej në ambulancë me pacientin në gjendje kritike.

“Oksigjeni mbaroi, kështu që fillova të përdor një pompë manuale për frymëmarrje. Duart m’u enjtën nga pompa e pandërprerë, nga frika se pacienti do të vdiste,” tha ajo.

Ajo përshkroi se dëgjonte britmat e mjekëve meshkuj që po torturoheshin dhe më pas u urdhërua të dilte nga ambulanca nga ushtarët izraelitë.

“Ushtari kërkoi dokumentin tim të identitetit dhe më bëri një skanim të syrit, pastaj më urdhëroi të dilja, por unë refuzova dhe i thashë se kisha një pacient kritik që do të vdiste nëse e lija.”

Përfundimisht, izraelitët liruan mjekët, përfshirë al-Badin dhe Abu Safian, duke i urdhëruar të drejtoheshin drejt Gazës perëndimore, ndërsa ambulancën me Barhoumën e dërguan në një rrugë tjetër drejt perëndimit.

Por lehtësimi nuk zgjati shumë. Ata kishin ecur vetëm disa metra kur një oficer izraelit thirri Abu Safian.

“Na u ngrinë fytyrat,” tha al-Badi. “Mjeku pyeti se çfarë kishte ndodhur. Oficerët thanë: ‘Të duam me ne në Izrael.’”

Al-Badi dhe një infermiere u përpoqën ta tërhiqnin mjekun, por ai i qortoi dhe u tha të vazhdonin rrugën.

“Qaja si një fëmijë që ndahet nga babai i tij, teksa shihja mjekun të arrestohej dhe t’i vishnin uniformën e bardhë prej najloni të të ndaluarve.”

Thirrje për lirimin e tij

Familja e Abu Safias po u bën thirrje organizatave të të drejtave të njeriut dhe institucioneve ligjore për lirimin e tij të menjëhershëm.

“Avokatët e babait tim e kanë vizituar rreth shtatë herë gjatë vitit të kaluar, [çdo vizitë e lejuar vetëm] pas përpjekjesh të lodhshme me administratën e burgut. Çdo herë, gjendja e babait tim është përkeqësuar ndjeshëm,” i tha Ilyas Al Jazeera-s.

“Ai ka fraktura në kofshë dhe copëza predhash në këmbë nga një plagosje gjatë kohës që ishte në spital para arrestimit. Po ashtu vuan nga probleme të tjera shëndetësore dhe i nënshtrohet abuzimit të rëndë psikologjik dhe fizik, që nuk i përshtatet moshës së tij.

“Izraeli po përpiqet të kriminalizojë punën e babait tim, shërbimin e tij të vazhdueshëm ndaj njerëzve dhe përpjekjet për të shpëtuar të plagosurit dhe të sëmurët në një zonë që vetë Izraeli në atë kohë e konsideronte ‘zonë të kuqe’.

“Prania dhe qëndrueshmëria e babait tim brenda spitalit përbënte një pengesë të madhe për ushtrinë izraelite dhe planin e saj për ta zbrazur veriun nga banorët e tij.”

Ilyas thotë se është krenar për të atin.

“Babai im është një mjek që do të mbahet si shembull në mbarë botën për respektimin e etikës mjekësore dhe guximin.

“Jam krenar përtej fjalëve dhe shpresoj ta përqafoj së shpejti dhe ta shoh të dalë nga errësira e burgut i sigurt dhe mirë.” /Al Jazeera/

MARKETING