Një tjetër foshnje vdes nga uria në Gaza

Një foshnje tjetër ka vdekur nga uria në Rripin e Gazës, ku ushtria izraelite ka vendosur zi buke duke kufizuar ndihmën humanitare dhe duke nisur sulme të dhunshme, transmeton Anadolu.
Sipas agjencisë palestineze të lajmeve WAFA, foshnja 7-muajshe, Mohammed Ibrahim Ades vdiq në spitalin Al-Shifa në qytetin e Gazës për shkak të urisë së madhe dhe mungesës së ushqimit për fëmijë.
Numri i të vdekurve për shkak të urisë në Rripin e Gazës, si pasojë e sulmeve të Izraelit dhe bllokadës së rreptë që kufizon ndihmën humanitare, është rritur në të paktën 134, prej të cilëve 88 janë fëmijë.
– Gaza po “vdes nga uria”
Rripi i Gazës, nën sulmet izraelite dhe nën një rrethim të rreptë që kufizon ndihmën humanitare, po përjeton një katastrofë humanitare, me uri të përhapur dhe mungesë uji, ilaçesh, furnizimesh mjekësore dhe furnizimesh higjienike.
Vdekjet për shkak të urisë, veçanërisht të fëmijëve, janë në rritje në Rripin e Gazës. Qarqet lokale dhe ndërkombëtare theksojnë se Izraeli përdor “urinë dhe etjen si armë”.
Ushtria izraelite, e cila ka shkatërruar 88 për qind të Rripit të Gazës duke bombarduar edhe infrastrukturën civile, shpeshherë shënjestron palestinezët që ka zhvendosur me urdhra të dëbimi në zonat ku ata strehohen.
Numri i njerëzve të zhvendosur nga sulmet dhe urdhrat e dëbimit të Izraelit në Gazan e cila ka një popullsi prej afërsisht 2.3 milionë banorësh, raportohet të ketë arritur në 2 milionë dhe se shumë njerëz janë zhvendosur disa herë.
Të privuar nga furnizimet bazë, palestinezët luftojnë për të mbijetuar në tenda të improvizuara ose në shkolla të mbipopulluara ku mungojnë furnizimet higjienike ndërsa lavamanët janë të pamjaftueshëm dhe sëmundjet infektive po përhapen.
Ndërkohë, ushtria izraelite kryen sulme të përditshme duke shënjestruar tendat dhe strehimoret civile të të zhvendosurve. Që nga 7 tetori 2023, të paktën 59.821 palestinezë janë vrarë dhe 144.851 janë plagosur në sulmet izraelite në Rripin e Gazës.