Një palestinez rrihet për vdekje nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor

Një burrë palestinez është rrahur deri në vdekje nga forcat e ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.
Shoqata Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe (PRCS) njoftoi në një deklaratë se ekipet e saj morën trupin e një burri 57-vjeçar në Ramallah nga pala izraelite, pas një goditjeje në kokë.
Dëshmitarët thanë për Anadolu se burri palestinez, nga qyteza Zababdeh, në jug të Jeninit në pjesën veriore të Bregut Perëndimor, u rrah ndërsa po kalonte murin ndarës izraelit për të arritur në vendin e tij të punës brenda Izraelit.
Tel Avivi ngriti murin ndarës mes Bregut Perëndimor të pushtuar dhe Izraelit në vitin 2002, duke u justifikuar me arsye sigurie. Në vitin 2004, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë lëshoi një opinion këshillues duke e shpallur barrierën të paligjshme dhe në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.
Forcat e ushtrisë izraelite sulmojnë vazhdimisht civilët palestinezë që afrohen pranë barrierës, e cila nga grupet për të drejtat e njeriut konsiderohet si “mur aparteidi”.
Sipas shifrave palestineze, më shumë se 1.051 persona janë vrarë në Bregun Perëndimor, rreth 10.300 janë plagosur dhe mbi 20 mijë janë arrestuar, përfshirë 1.600 fëmijë, që nga fillimi i luftës izraelite në Gaza në tetor 2023.