Një kompani nga Serbia është përfshirë në listën e sanksioneve të SHBA-së sepse mbështet Rusinë
Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) njoftoi më 20 korrik se po vendos sanksione ndaj pothuajse 120 individëve dhe kompanive për mbështetjen e pushtimit rus të Ukrainës.
Dhe sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, në mesin e të sanksionuarve është edhe një kompani nga Serbia, MCI Trading DOO, me seli në Beograd.
Në njoftimin e Thesarit të SHBA-së, thuhet se kjo kompani ka ndihmuar kompaninë ruse AK Microtech që të blejë pajisje të teknologjisë së lartë nga prodhues nga Azia, Evropa dhe Lindja e Mesme.
Kështu, kompania ruse AK Microtech akuzohet se ka ofruar pajisje të teknologjisë së lartë për industrinë ruse të mbrojtjes.
Në njoftimin për shtyp thuhet se kjo firmë është e specializuar në transferimin e teknologjisë së huaj tek kompanitë ruse të prodhimit të mikroelektronikës, përfshirë ato që ofrojnë mikroelektronikë për industrinë ruse të mbrojtjes.