Nis samiti i liderëve të vendeve arabe në Riad

Princi saudit i kurorës Mohammed bin Salman mirëpriti një samit në Riad sot, ku pjesëmarrës janë liderët e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC), mbreti i Jordanisë Abdullah II dhe presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi, njoftuan mediat shtetërore saudite, transmeton Anadolu.
Kanali shtetëror Al-Ekhbariya ndau një fotografi të të pranishmëve në X, duke e quajtur mbledhjen një “takim miqësor dhe vëllazëror” midis princit të kurorës, udhëheqësve të GCC-së, mbretit të Jordanisë dhe presidentit të Egjiptit.
Takimi vjen në një kohë kritike për rajonin, mes planeve të raportuara të presidentit amerikan Donald Trump për të zhvendosur palestinezët nga Gaza dhe për të marrë kontrollin e territorit.
Trump ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur për “marrjen” e Gazës dhe zhvendosjen e popullsisë së saj për të rizhvilluar enklavën në atë që ai e ka quajtur “Riviera e Lindjes së Mesme”. Ideja është hedhur poshtë me forcë nga bota arabe dhe shumë vende të tjera, të cilët thonë se kjo përbën spastrim etnik.
Më 16 shkurt, al-Sisi konfirmoi se vendi i tij po përgatit një plan “gjithëpërfshirës” për të rindërtuar Gazën pa zhvendosur palestinezët.
Sipas Agjencisë zyrtare të Shtypit të Arabisë Saudite, samiti ndjek një traditë të gjatë të takimeve jozyrtare periodike midis liderëve të GCC-së, Egjiptit dhe Jordanisë. Agjencia theksoi gjithashtu mbledhjen si pjesë e “lidhjeve të forta vëllazërore” midis liderëve, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit.
Çdo vendim në lidhje me veprimin e përbashkët arab do të trajtohet gjatë samitit të ardhshëm urgjent të Ligës Arabe në Egjipt, të planifikuar për në mars, shtoi agjencia.