Nis mësimin vajza që u përjashtua për shkak të mbulesës, imami: Është e para në historinë e gjimnazit “Bedri Pejani” në Pejë
Kanë kaluar më shumë se një muaj kur nxënësja A.D nuk vijon mësimin në shkollën e mesme “Bedri Pejani” në Pejë.
18-vjeçarja ishte përjashtuar për shkak të mbulueses.
Drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Paqe, Labinot Maliqi përmes një postimi të gjatë në “Facebook” tregoi se prindi i nxënëses i kanë dhënë lajmin që nxënësja do të rikthehet sot në shkollë për të vijuar mësimin e rregullt.
Gjithashtu theksoi se A.D do të jetë nxënësja e parë në historinë e gjimnazit “Bedri Pejani” që i lejohet të mbajë mbulesën.
Më poshtë keni postimin e plotë pa ndërhyrje:
“Pas njoftimit të prindit të nxënëses A.D., duke më dhanë lajmin e shumëpritur, konfirmimi përkatës më erdhi gjithashtu edhe nga drejtoria e gjimnazit “Bedri Pejani” në Pejë se, nxënësja e larguar nga shkolla për shkak të mbulesës më 2 Shtator, do të kthehet sot në bankën e saj për të vijuar mësimin e rregullt. Kjo nxënëse do të jetë e para në historinë e këtij gjimnazi që lejohet të mbajë mbulesën. Le të jetë ky rasti i fundit i largimit të vajzave tona nga shkolla për shkak të mbulesës.
Pas ndërhyrjes mbështetëse që ka bërë Ministria e Arsimit për kthimin e kësaj nxënëseje në shkollë me mbulesë, duke qene edhe vet institucioni i bindur se nje ndalesë e tillë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, Ligjin per Arsim dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nuk ka më asnjë kuptim që të vazhdojë ndalesa për “Bartjen e Uniformës Fetare” në shkollat e mesme, e paraparë në Udhëzimin Administrativ.
Prandaj, kërkoj nga Ministrja e Arsimit, znj. Arbërie Nagavci, që ndalesën në fjalë ta shfuqizojë ose ta rishikojë sa më parë, duke e sqaruar se mbulesa nuk është një uniformë fetare dhe, si e tillë, nuk duhet të jetë pengesë për vajzat që të kenë qasje të barabartë në arsim.
Ndërkohë, drejtori i DKA-së në Komunën e Pejës, z. Naser Gegaj, si dhe drejtori i gjimnazit “Bedri Pejani,” z. Musa Nikqi, duhet t’i kërkojnë falje publike nxënëses A.D., të cilën e larguan nga shkolla duke e penguar me vetëdije në të drejtën e saj për të pasur qasje në arsim.