Nikolloski: Për integrimin në BE, ndryshuam emrin e shtetit, paranë dhe shtatë herë kushtetutën, ndërsa Bullgaria s’po bën asgjë
Rëndësia e zgjerimit të BE-së, gjeopolitika e re, siguria dhe ekonomia, janë në fokus të Samitit për Ballkanin Perëndimor në Bruksel, organizuar nga Miqtë e Evropës.
Forumi ka për bazë temën mbi aspiratat që paraqiten në këtë rrugëtim. Përfaqësuesi i vendit, zëvendëskryeministri Aleksandar Nikolloski, duke potencuar vështirësitë e vendit për integrim në BE, ka shtuar se nga fqinji dhe aktorët tjerë nuk marrin përgjigje nëse ndryshimet kushtetuese janë kushti i fundit, duke shtuar se presioni bie mbi Maqedoninë e Veriut, ndërkaq pala bullgare nuk dëshiron të bëjë asgjë për balancë.
“Nëse filloj të radhis se çfarë kemi bërë prej viteve të 90-ta do të ishte tregim pafund. Emrin e ndryshuam dy herë. Fillimisht ishte për përdorim të jashtëm IRJM, pastaj e ndryshuam për përdorim të përgjithshëm, Maqedonia e Veriut. Ndryshuam paratë, flamurin, shtatë herë e kemi ndryshuar Kushtetutën dhe tani kërkohet të ndryshohen për të tetën herë. Kur flasim me njerëzit, na pyesin nëse kjo është për të fundit herë. Kjo është pyetje që s’ka përgjigje. Në komunikim me miqtë tanë bullgarë dhe aktorët tjerë, kjo është pyetja. Në rregull. Kemi marrëveshje që nuk e duam, dikush tjetër e ka nënshkruar, por a është kjo e fundit? Askush nuk thotë se është e fundit”, deklaroi zëvendëskryeministri, Aleksandar Nikolloski.
Ndërkohë, të punohet në lidhje strategjike ekonomike derisa politika bën angazhimet e veta, shton Nikollovski.
“Këtu është edhe nënkryetari i Bankës Evropiane për investim, ku do të bisedojmë për projekte të mëdha infrastrukturore. Banka Evropiane për investime financon pjesën më të madhe të seksionit të tretë të Korridorit 8, lidhjen hekurudhore me Bullgarinë. Vijnë kryeministra prej vendeve të ndryshme, ministra qeveritarë, komuniteti i biznesit bankar, që për Maqedoninë kjo do të thotë shumë. Kështu që, duhet të jemi prezent këtu, t’i japim argumentet tona se çfarë po bëjmë. Unë, përveç pjesës politike, do të bisedoj shumë për aspektin ekonomik, pjesën infrastrukturore, që është fokus i vizitës sime”, theksoi Nikolloski.
Samiti vjetor BE-Ballkani Perëndimor i Miqve të Evropës mbledh rregullisht mbi 100 pjesëmarrës, për të diskutuar mbi sfidat aktuale politike, zgjerimin dhe nxitjen ekonomike.

